KDI përkrahë zhvillimin e demokracisë
përmes angazhimit të qytetarëve dhe OJQ-ve
në procesin e krijimit të politikave,
rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Logo e TI

Zgjedhjet e Lira dhe të Drejta

13-06-2017 - Prishtine

Tregohet maturi ne procesin zgjedhor i cili ishte i qete, mangesi ne edukim dhe informim te votuesve

Facebook  Twitter

DnV konsideron se zgjedhjet e 11 qershorit 2017 kanë qenë të qeta dhe nuk janë prekur nga shkelje të rënda dhe të dhunshme, të cilat mund ta minonin besimin e publikut në procesin zgjedhor. Përjashtim bënë periudha e fushatës zgjedhore në komunat me shumicë serbe, ku atmosfera e fushatës ka qenë e tensionuar dhe votuesit janë ndjerë të frikësuar. Po ashtu, në këto komuna dita e zgjedhjeve ka qenë e mbikëqyrur nga forca të shtuara të sigurisë.

Gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ka pasur incidente serioze, por nga vëzhguesit tanë janë regjistruar disa parregullsi gjatë votimit, siç janë: i) Cenimi i fshehtësisë së votimit që është shprehur përmes votimit familjar, i njëjti person ka asistuar më shumë se njëherë, si dhe votimi jashtë kabinave të votimit. ii) Dyshimi për krijim të varësisë ekonomike ndaj votuesve është shprehur përmes fotografimit të fletëvotimit. iii) Keqpërdorim i së drejtës së votimit që është shprehur përmes tentimit për të votuar më shumë se njëherë. iv) Presion i mundshëm ndaj votuesve që mund të interpretohet nga prania e personave të paautorizuar në qendrat e votimit apo vendvotime, i cili ka qenë mjaftë i lartë në orët e paradites. v) Privim i së drejtës së votimit për personat me aftësi të kufizuar për shkak të mungesës së infrastrukturës adekuate për qasje në të gjitha vendvotimet.

Pasaktësia e listës së votuesve vazhdon të mbetet element negativ në të gjitha proceset zgjedhore në Kosovë, përfshirë zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Përkundër disa përpjekjeve institucionale për ta pastruar listën e votuesve nga personat e vdekur, shumë nga ta vazhdojnë t’i kenë emrat në listë.

Votuesit nga jashtë kanë hasur në vështirësi për të aplikuar për regjistrim për të votuar me postë. Fushata e informimit të votuesve nga jashtë ka filluar shumë vonë dhe nuk janë dhënë udhëzime të mjaftueshme. KQZ-së nuk ka qenë e përgatitur për të përballuar trafikun e aplikimeve, duke shkaktuar dështim të serverëve dhe si rrjedhojë iu është pamundësuar votuesve e drejta e votës. Reforma zgjedhore duhet të adresoj këtë problem duke eliminuar barrierat e panevojshme dhe thjeshtësuar procedurat.

Numri i lartë i fletëvotimeve të pavlefshme është shqetësues, veçanërisht kur marrim në konsideratë faktin që ka trend të rritjes së këtyre fletëvotimeve, përkundër që sistemi zgjedhor ka mbetur i njëjtë. KQZ duhet që sa më parë të bëjë hulumtimin dhe analizimin e shkaqeve që kanë çuar në rritjen e numrit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme përmes hapjes së kutive. Menjëherë duhet të ndërmerren masat e nevojshme për t’i adresuar më seriozisht problemet e identifikuara. Mbi të gjitha, KQZ duhet të bëjë përpjekje të shtuara për të edukuar dhe informuar votuesit për mënyrën e votimit, me qëllim të zvogëlimit të votave të pavlefshme.

Fenomen i ri në këto zgjedhje ka qenë akreditimi i një organizate jo-qeveritare e cila nuk është tatimpagues aktiv edhe nuk ka përvojë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Numri i madh i vëzhguesve të akredituar nga kjo organizatë ka ngritur dyshime për mision e tyre dhe lidhje me subjekte të caktuara politike.

Burimet e financimit dhe transparenca financiare e subjekteve politike vazhdon të mbetet problematike prandaj duhet të zhvillohet mbikëqyrje më të madhe e financave të tyre, sidomos sa i përket respektimit të kufizimeve që janë përcaktuara nga KQZ për këtë fushatë zgjedhore.

DnV vlerëson aktivitetin dhe përpjekjet e shumë komisionerëve që kanë kryer detyrat e tyre duke pas parasysh afatet e shkurtra për përgatitje. Megjithatë, KQZ nuk ka ofruar trajnime adekuate për komisionarët të cilët në disa raste nuk kanë qenë mirë të informuar me procedurat e votimit, numërimit dhe plotësimit të Formularëve të Përputhjes së Rezultateve. KQZ ka qenë transparente në mbledhjet e mbajtura. Por vëzhguesit nuk kanë pasur qasje në materialet e shqyrtuara dhe vendimet nuk janë publikuar në kohë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vepruar me profesionalizëm dhe në mënyrë të paanshme në trajtimin e ankesave, duke respektuar afatet kohore.

Periudha e fushatës zgjedhore ka qenë e intensifikuar me aktivitete të kandidatëve, në të cilat janë evidentuar parregullsi të ndryshme si: i) përdorimi i fëmijëve në fushatë zgjedhore, në raste të caktuara edhe në mënyrë të organizuar; ii) shfrytëzimi i veturave zyrtare për qëllime partiake dhe prani të shërbyesve civil; iii) vendosja e materialeve propaganduese të kandidatëve dhe subjekteve politike në shenja të komunikacionit, shtylla elektrike, hapësira publike të cilat nuk janë të destinuara për këtë qëllim; iv) gjuha e përdorur gjatë fushatës në raste të caktuara ka përmbajtur elemente të gjuhës së urrejtjes; v) prania e grave në aktivitetet e fushatës së subjekteve politike ka qenë mjaftë e ulët, dhe gratë kandidate nuk kanë pasur mundësi të barabartë me burrat për të shpalosur pikëpamjet e tyre. vi) qasja e personave me aftësi të kufizuara nuk është garantuar në të gjitha tubimet zgjedhore.

Në komunat me shumicë serbe, atmosfera gjatë periudhës së fushatës zgjedhore ka qenë e tensionuar, votuesit shpeshherë janë ndier të frikësuar dhe nën presion për të votuar për një subjekt të caktuar politik.

Prania e mediave në tubimet e fushatës zgjedhore ka qenë e kënaqshme dhe të njëjtit nuk janë penguar për të raportuar lirshëm. Mos pjesëmarrja në debate televizive e përfaqësuesve nga të gjitha subjektet politike iu ka privuar të drejtën qytetarëve për të parë ballafaqimin e ideve konkurruese dhe shpalosjen e programeve qeverisëse. Janë të papranueshme përpjekjet e disa subjekteve politike për të ndërhyrë në politikat redaktuese të mediave.

<< Kthehuni mbrapa




LAJMËRO
KORRUPSIONIN

TEL

0800 77777


Thirrjet janë pa pagesë,
të besueshme dhe konfidenciale.


DATABAZA PËR HULUMTIME
    PARLAMENTARE

Regjitrohu këtu


Ngjarjet e fundit

Ngjarje tjera: (16)...


KDI në media


Newsletter






Publikimet tjera: (0)...


WEB FAQE PËR PROGRAME DHE RRJETËZIME





Copyright 2005 - 2017 © Kosova Democratic Institute - All Rights Reserved