Studentët kërkojnë unitet të spektrit politik në dialogun Kosovë-Serbi

Tryeza 15.11.2017

KDI në bashkëpunim me departamentin e shkencave politike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me studentët e këtij departamenti, deputet të Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën dhe profesorin e Shkencave Politike z. Afrim Hoti, organizoi diskutimin “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi: këndvështrimi i studentëve”, ku u nënvizua nevoja për një koordinim të gjerë mes aktorëve politik, shoqërisë civile, medias dhe akademisë para nisjes se fazës së re të këtij dialogu.

Glauk Konjufca, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se dialogu paraqet një temë me rëndësi ngase prek drejtpërdrejt shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Ai theksoi se dialogu Kosovë- Serbi ka filluar nga Qeveria e Kosovës pa një platformë të qartë, pa plan të detajuar për mbrojtjen e interesave strategjike të Kosovës, proces i cili ka qenë jo transparent dhe ka prodhuar pasoja për Kosovës. Lidhur me të ardhmen e këtij procesi, deputeti Konjufca shprehu bindjen se Kosova do të fitojë një ulëse në OKB vetëm në këmbim të autonomisë territoriale të serbëve brenda Kosovës.

Ndërkaq Bilall Sherifi, deputet i Nisma vlerësoi se në dialogun Kosovë-Serbi janë bërë dy gabime kryesore nga ana e Qeverisë së Kosovës, në vend se të ishte vetë bartëse e procesit ajo i ka dorëzuar rolin e saj përfaqësuesve ndërkombëtarë. Ndërsa gabimi i dytë sipas deputetit Sherifi është bërë kur është pranuar që të negociohet mbi pakon e Ahtisaarit. Sherifi vlerësoi se nuk duhet të ketë asnjë konsensus që tejkalon pakon e Ahtisaarit dhe nuk duhet asesi që të lejohet hapja e saj. Ai shtoi se duhet të ndërtohet një platform e qëndrimeve të shtetit të Kosovës në këto bisedime me ndihmën e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar.

Ndërsa studentët e këtij departamenti u shprehën të shqetësuar lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve të arritura si dhe formatin dhe temat që janë diskutuar në dialog. Nga studentët u kërkua që të krijohet një platformë e qartë për fazën e re të dialogut e cila do të parashihte përbërjen e delegaconit, formatin e bisedimeve si dhe temat që do të duhet të diskutohen. Studentët po ashtu kërkuan që platforma dhe përbërja e delegacionit për fazën e re të legjitimohen nga Kuvendi.