sq

Kuletat e subjekteve politike parlamentare në vitin 2019 – me shumë borxhe e pak donacione

Konferenca për media 11.12.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot konferencë për media, ku është shpalosur hulumtimi “‘Kuletat’ e subjekteve politike parlamentare: Si qëndrojnë financiarisht ato?”. Ky hulumtim paraqet një analizë të raporteve vjetore financiare të subjekteve politike parlamentare në Kosovë për vitin 2019, të cilat janë publikuar, në version të paaudituar, në fund të tetorit të këtij viti.

Eugen Cakolli, i cili paraqiti të gjeturat kryesore të këtij hulumtimi, vlerësoi që mospublikimi në kohë i raporteve vjetore financiare të subjekteve politike paraqet mungesë të theksuar të transparencës dhe llogaridhënies së tyre ndaj publikut. Ai theksoi që, në periudhën 2013-2017 Kuvendi kishte dështuar të përzgjedhë auditorë të jashtëm, duke pamundësuar publikimin e raporteve vjetore financiare. “Madje, raportet e vitit 2018 nuk janë publikuar ende në faqen zyrtare të KQZ-së” shtoi Cakolli.

Raporti nënvizon që subjektet politike parlamentare zotërojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë të përgjithshme prej mbi 420 mijë euro. Megjithatë, sipas tij, subjektet politike parlamentare nuk qëndrojnë mirë me borxhet, me mbi 2 milion euro detyrime të deklaruara. Vetëm PDK dhe LDK – kanë deklaruar mbi 1,1 milion euro detyrime apo gati 2/3 e detyrimeve të përgjithshme të të gjitha subjekteve politike parlamentare në Kosovë.

Në përgjithësi, subjektet politike kanë deklaruar bilanc negativ financiar, me afro një milion euro më shumë shpenzime se të hyra të deklaruara. Ky fenomen është vazhdimësi e trendeve paraprake edhe të vitit 2017, kur në përgjithësi ishin deklaruar mbi 2 milion euro shpenzime më tepër sesa të hyra.

Sa i përket shpenzimeve, subjektet politike parlamentare pjesën më të madhe të shpenzimeve të vitit 2019 i kanë deklaruar për fushatë dhe paga, përkatësisht 2.1 milion euro në fushatë dhe 1.3 milion euro në paga dhe kompensime. Megjithatë, ekziston shpërputhje midis shpenzimeve që subjektet politike i kanë deklaruar për fushatë dhe raporteve që Demokracia në Veprim ka publikuar për shpenzimet e partive gjatë fushatës. Sipas vlerësimit të DnV-së, vetëm në kuadër të aktiviteteve publike të monitoruara, janë shpenzuar 3 milion e 636 mijë euro, apo rreth 1 milion e gjysmë euro më shumë sesa deklarimet e subjekteve politike.

Në anën tjetër, edhe pse donacionet shihen si një nga burimet kryesore të financimit, sidomos gjatë viteve zgjedhore, subjektet kanë deklaruar vetëm 214 mijë euro donacione, që përbën vetëm 4.6% të të hyrave të përgjithshme të tyre. Cakolli vuri theksin që, edhe subjekti i dytë në zgjedhje, aktualisht udhëheqës i koalicionit qeverisës, LDK, përgjatë tërë vitit 2019 ka deklaruar se ka pranuar vetëm një donacion, dhe atë në vlerë prej vetëm 38.54 euro.  AKR është subjekti që prin me donacione, pasuar nga LVV dhe Alternativa. Në bazë të raporteve, vërehet se pjesa më e madhe e donacioneve që kanë pranuar subjektet politike kanë ardhur nga anëtarë të tyre, në vlera prej 10 deri në 1,000 euro.

Në fund, u theksua që pesë subjekte politike, përfshirë LVV, LDK, AAK, LS dhe PAI, nuk kanë përmbushur përcaktimet ligjore lidhur me pasqyrat bankare, duke mos i përfshirë të njëjtat në raporte vjetore.

Hulumtimin e plotë mund ta gjeni këtu.