Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajtën sot në Shtëpinë e Verës në Rahovec tryezën e diskutimit lidhur me Ligjin për Verërat në Republikën e Kosovës. Në këtë tryezë u prezantua edhe hulumtimi parlamentar lidhur me sfidat në implementimin e këtij Ligji, i përkrahur nga KDI dhe i përgatitur nga eksperti i sektorit të verërave, Mustafë Kastrati.
Pjesëmarrës në këtë diskutim publik ishin deputëtët Daut Haradinaj e Andin Hoti, Kryetari në ardhje i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, Drejtori i Departamentit të Vreshtarisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Bekim Hoxha, si dhe një numër i madh i vreshtarëve dhe kultivuesve të verës nga i gjithë vendi.
U diskutua për çështje konkrete të cilat janë duke i preokupuar prodhuesit e verës, ku si shqetësim kryesor u paraqit mungesa adekuate e subvencionimit dhe përkrahjes me grante për të rritur konkurrueshmërinë dhe rritjen e cilësisë së verës vendore. Në përgjithësi të gjithë të pranishmit në këtë diskutim u dakorduan se në Kosovë ekziston një kornizë e mirë ligjore, mirëpo është nevojë e kohës amandamentimi i Ligjit aktual, duke përfshirë ndryshimet e nevojshme për përafrim me legjislacionin e BE-së por edhe me ofrimin e kushteve edhe më të mira për prodhim dhe shitje të prodhuesve vendor.
Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Daut Haradinaj, u bëri thirrje të gjithë prodhuesve të verës që të paraqesin shqetësimet e tyre tek Komisioni por edhe individualisht tek deputetët e Kuvendit, në mënyrë që këto kërkesa të trajtohen me prioritet dhe të mirren hapat e nevojshëm institucional për ndryshime potenciale në Ligjin aktual për Verërat.
Realizimi i këtij diskutimi publik dhe i hulumtimit parlamentar është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për projektin për përkrahje të hulumtimeve parlamentare në Kosovë, që zbatohet nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Ky projekt ka për qëllim të mbështesë Drejtorinë për Hulumtime, Arkivë dhe Bibliotekë me hulumtime nga institutet hulumtuese dhe hulumtuesit e pavarur jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovës.