KDI kerkon rol me aktiv nga Presidenti ne konstituimin e Kuvendit

25.08.2017

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, rrjedhimisht edhe përpjekja e djeshme për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit rezultoi e pasuksesshme. Madje, nga foltorja e Kuvendit u dhanë indikacione të reja se subjektet politike jo vetëm që nuk kanë vullnet të përafrojnë qëndrimet e veta, dhe potencialisht të gjejnë zgjidhje për krizën e krijuar, por mund t’i kontribuojnë polarizimit të mëtejshëm të skenës politike në vend.

Subjektet politike dhe deputetët e zgjedhur me votë qytetare nuk janë duke respektuar Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve për t’i formuar institucionet e vendit. Qasja joserioze e klasës politike kosovare dhe mosveprimi i tyre karshi obligimeve kushtetuese po e futë vendin në një krizë politike e institucionale. Dështimi i vazhdueshëm në konstituimin e Kuvendit po bllokon procesin e formimin të Qeverisë dhe funksionimin e institucioneve të tjera të pavarura që i përgjigjen Kuvendit.

Me gjithë ngecjet në konstituimin e institucioneve, subjektet politike duhet të gjejnë konsensus për të përafruar qëndrimet e tyre në mënyrë që t’i shmangin praktikat bllokuese dhe të ofrojnë zgjidhje. Mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare, pa i shterur të gjitha mundësitë për tejkalim nga kjo situatë dhe sidomos pa reformë të mirëfilltë zgjedhore dhe ndryshime kushtetuese, nuk përbën opsion.

Zgjedhjet e 11 qershorit u organizuan në frymë demokratike duke respektuar standardet vendore dhe ndërkombëtare, dhe duke mos u kontestuar nga asnjë subjekt politik, qoftë për procesin apo rezultatin zgjedhor. Qytetarët e Republikës së Kosovës dhanë verdiktin e tyre, dhe tani mbetet obligim kushtetues i subjekteve politike, përkatësisht deputetëve të zgjedhur që të respektojnë vullnetin qytetar.

Marrë në konsideratë rrethanat aktuale politike, KDI kërkon që:

Presidenti i Republikës së Kosovës të ketë rol më aktiv dhe të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese për t’i kontribuar daljes nga bllokada dhe konsituimit të Kuvendit.

Koalicioni PAN të ushtrojë së më parë të drejtën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit;

Në rast të dështimit të përkrahjes së kandidatit të propozua nga PAN, partitë politike të konsiderojnë noniminim e një kandidati konsensual për kryetar të Kuvendit.