KDI kërkon nga institucionet publike të përkushtohen seriozisht në mbrojtjen e mjedisit

Reagime 05.06.2020

Vetëm në tre vitet e fundit institucionet publike kanë dhënë kontrata në vlerë mbi 1 miliardë euro për ndërtim të rrugëve dhe të rrjeteve të kanalizimit, me masa minimale të mbrojtjes së mjedisit.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, KDI inkurajon institucionet publike të përkushtohen seriozisht në mbrojtje të mjedisit, të bashkërendojnë veprimet, të përditësojnë ligjet dhe strategjitë nacionale për mbrojtje të mjedisit dhe të rrisin nivelin e llogaridhënies publike për zbatimin e këtyre politikave.

Gjatë 2017-2019 në Kosovë janë dhënë 326 kontrata për ndërtim të kanalizimeve në vlerë prej 43 milionë euro ndërsa janë dhënë vetëm 8 kontrata për trajtim të ujërave të ndotura në vlerë prej 2.2 milionë euro, pavarësisht buxheti për implante/trajtim të ujërave të ndotura për 2018-2019 ishte mbi 32 milionë euro.

Sipas AMMK – Kadastrit i ndotësve të ujërave të Kosovës ndotja së lumenjve në Kosovë vie në masë të madhe nga rrjetet e kanalizimeve

Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis nuk parasheh dispozita të cilat kërkojnë vlerësime për investimet kapitale në rrjetet e kanalizimeve, përkundër që ato janë ndotësit kryesorë të lumenjve tonë.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, KDI ka përgatitur dokumentarin Lumenjtë e Zi të Kosovës si dhe analizën e plotë Lumenjtë e Zi të Kosovës .

#JO varrosjes së lumenjve dhe futjes së tyre në gypa
#JO ndotjes së lumenjve
#JO shkatërrimit të shtretërve të lumenjve
#JO mihjeve dhe gurthyesve ilegalë
#JO prerjeve ilegale të pyjeve.

#KërkoLlogari