sq
Regjistrohu

HAPET GARA “Fotografo korrupsionin”

Njoftime 02.11.2021

Edhe sivjet kemi vendosur t’ju sfidojmë!

Sfida është: A mundeni me tregu korrupsionin përmes fotografisë?

Dërgo një ose më shumë foto kreative që ilustron pasojat e korrupsionit dhe fito njërin nga tre çmimet: 300, 200 ose 100 Euro.

Filloni të bëni fotografi që nga dita e sotme, 2 nëntor 2021. Ndërsa fotografitë i dërgoni tek ne duke filluar nga 22-30 nëntor, 2021. Për detaje të procedurës së aplikimit ju informojmë me kohë.

Fotografitë do të vlerësohen nga juria profesionale ndërsa tre fituesit shpallen më 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit! Po atë ditë do të organizohet edhe ekspozita e fotografive. Për lokacionin dhe detaje tjera të ekspozitës ju lajmërojmë me kohë.

Kushtet dhe rregullat:

  • Fotografitë e dërguara duhet të kenë rezolucion të lartë Full HD 1920×1080 px pasi do të ekspozohen edhe të shtypura (në korniza)
  • Fotografitë duhet të bëhen në territorin e Kosovës
  • Fotografitë duhet të jenë të realizuara ekskluzivisht për këtë garë. Nuk pranohen fotografi që kanë qenë pjesë e ndonjë gare të mëhershme;
  • Çdo garues duhet të garantoj që fotografia(të) është bërë me miratim të protagonistëve, pasi atyre u është garantuar se nuk do t’u shkelen të drejtat, përfshirë të drejtën e privatësisë, të drejtën e pronësisë intelektuale, të drejtën e kopjimit të paautorizuar apo ndonjë të drejtë të ndonjë personi të tretë;
  • Aplikuesit duhet të jenë mbi moshën 18 vjeç.
  • Fituesit e garës duhet të jenë të gatshëm t’a tregojnë storien prapa fotografive të tyre, verbalisht ose në të shkruar.

 

Klauzolë:

Me rastin e pjesëmarrjes në këtë garë, garuesi garanton se fotografia është e tij. Në rast se paraqitet çfarëdo kontesti mbi të drejtën e autorit, KDI nuk merr asnjë përgjegjësi.

Garuesi në momentin e aplikimit i jep të drejtë Institutit Demokratik të Kosovës KDI që ta përdorë, shpërndajë, shtypë, ta përdorë në raporte, promovim të ndonjë aktiviteti apo rishpërndaj fotografinë, pa pas nevojë të kërkoj leje nga autori.

Çdo kontest që mund të paraqitet në lidhje me këtë garë do të trajtohet në përputhjet me Ligjet e Republikës së Kosovës.

Shumat e çmimeve, janë subjekt i tatimit në fitim.