Në Indeksin e Integritetit në sektorin e Sigurisë për vitin 2020 (Government Defence Integrity Index – GDI të publikuar nga Transparencu International Defence & Security Programme për 15 shtetet e Evropës Qendore dhe Lindore, Kosova është vlerësuar në mesin e shteteve me rreziqe të larta të korrupsionit në sektorin e mbrojtjes, me gjithsej 42 pikë.
Si një lojtar i ri i sigurisë në rajon, Kosova është ende duke zhvilluar aftësitë e saj mbrojtëse dhe rreziqet e korrupsionit në sektor janë të larta. Përderisa Kosova ka një kornizë të mire ligjore në fushën e mbrojtjes, mbetet një hendek i lartë në zbatimin e saj, që rezulton me mbikëqyrje të dobët parlamentare, transparencë të ulët, procedura sekrete të prokurimit dhe një mjedis të pasigurt për sinjalizuesit.
GDI është një vlerësim gjithpërfshirës mbi cilësinë e kontrolleve institucionale për të menaxhuar rrezikun e korrupsionit në institucionet e mbrojtjes dhe të sigurisë. Ai ofron një pasqyrë të qeverisjes brenda sektorit të mbrojtjes në një vend.
Si partnere dhe kontribuese në këtë raport, KDI do të punojë për fuqizimin e integritetit në qeverisjen e sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.
Raportin e plotë -GDI në anglisht mund t’a shkarkoni këtu.