“Mbrojtja e të dhënave personale dhe Qasja në dokumente publike” është temë e diskutimit të sotëm të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Rishtazi, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Projektligjin për Qasje në Dokumente Publike, të cilat i ka proceduar në Kuvend për shqyrtim të mëtutjeshëm. Ndër ndryshimet kryesore që parashihet të bëhet është emërimi i një Komisioneri i cili do të jetë përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe qasjen në dokumentet dhe informacione publike.
Pikërisht këto ndryshime janë temë e diskutimit të kësaj tryeze që po zhvillohet me përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarë. Po ashtu në këtë tryezë do të prezantohet edhe një hulumtim parlamentar që ka analizuar ndryshimet ligjore dhe krahasuar ato me praktikat e mira të vendeve të rajonit dhe të BE-së.