Në Kuvendin e Kosovës është iniciuar ideja për hartimin e një ligji të veçantë për mediat, përmes së cilit synohet mbrojtja e mediave, të drejtat e punës së gazetarëve, por edhe të drejtat autoriale. Përmes ligjit pretendohet luftimi i lajmeve të rrejshme dhe veçanërisht disiplinimi i shumë portaleve të cilat publikojnë përmbajtje të pakontrolluar dhe nuk u dihen titullarët. Iniciuesit pretendojnë që korniza ligjore është e pamjaftueshme dhe rregullon vetëm sipërfaqësisht këto segmente, pasi nuk i dedikohet mediave drejtpërdrejtë. Në anën tjetër komuniteti i gazetarëve ka kundërshtuar këtë iniciativë, duke konsideruar se tashmë ka ligje të mjaftueshme që mbrojnë mediat, të drejtat autoriale si dhe shpifjet e fyerjet, por edhe të drejtat e tyre të punës.
Me qëllim të diskutimit se a ka nevojë për ligj për mediat KDI në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka mbajtur tryezën “A ka nevojë Kosova për një ligj për mediat?”.
Me këtë rast u prezantua edhe një Hulumtim parlamentar i realizuar nga KDI, i cili ka krahasuar praktikat e vendeve tjera sa i përket kësaj teme.