Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se zgjedhjet lokale të 22 tetor 2017 kanë përmbushur si standardet ndërkombëtare ashtu edhe ato vendore në organizimin e zgjedhjeve. Procesi është zhvilluar i qetë dhe qytetarët kanë qenë të lirë dhe të sigurt që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Përjashtim bëjnë komunat me shumicë serbe ku ndaj votuesve të komunitetit të njëjtë është ushtruar presion për të votuar. Një pjesë e këtij presioni ka ardhur nga votuesit të cilët në mënyrë të organizuar kanë ardhur nga Serbia për të votuar në këto komuna. Janë shënuar edhe një numër i parregullsive të cilat në përgjithësi nuk e kanë dëmtuar mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor.
Problem më serioz që ka shoqëruar procesin zgjedhor ka qenë mospërputhja e fletëvotimeve për kryetar të komunave me ato për kuvendet komunale, që është verifikuar përmes dengjeve të fletëvotimeve. Këto raste më së shumti kanë qenë të shprehura në komunën e Mitrovicës. Problem tjetër që është shfaqur në ditën e zgjedhjeve ka qenë në komunën e Deçanit, ku vulat e shpërndara në vendvotime për vulosje të fletëvotimeve janë tërhequr pasi ishin shpërndarë gabimisht. Kjo ka quar në ndërprerjen e përkohshme të procesit të votimit. Që të dy këto natyra të parregullsive nuk kanë qenë të shprehura në proceset e kaluara zgjedhore prandaj kërkojnë sqarim zyrtar nga ana e KQZ-së.
Parregullsitë të cilat janë evidentuar në ditën e zgjedhjeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës kanë qenë: i) prania e materialit propagandues në afërsi të qendrave të votimit; ii) mungesa e materialit zgjedhor; iii) prania e personave të paautorizuar; iv) fotografim i votës; v) votimi familjar; vi) asistim i votuesve më shumë se një herë; vii) votim jashtë kabinës së votimit. Problemet me lisat e votuesve mbetet evidente.
Vëzhguesit tanë kanë raportuar për një numër të rasteve kur qytetarët kanë hasur në vështirësi për të gjetur emrin e tyre në listat e votuesve, si dhe kanë gjetur familjarët e tyre të vdekur në listë. Kjo dëmton besimin e publikut në saktësinë e listë së votuesve.
DnV vlerëson punën e shumë prej anëtarëve të këshillave të vendvotimeve (KVV) për ndërmarrjen e masave të menjëhershme në adresimin e problemeve që kanë shoqëruar procesin e votimit dhe numërimit. Megjithëse trajnimet më cilësore janë tejet të nevojshme, pasi një pjesë e anëtarëve të KVV-ve nuk i njohin mirë procedurat e votimit dhe veçanërisht plotësimit të formularëve dhe paketimit të materialeve.
DnV vlerëson se KQZ ka filluar më vonesë informimin dhe edukimin e qytetarëve rreth procesit dhe mënyrës së votimit, pra vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Përkundër që zgjedhjet lokale 2017 janë organizuar në afat të rregullt kohorë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë edhe në këto zgjedhje ka asistuar KQZ-në në organizimin e zgjedhjeve ne 4 komunat veriore të vendit. Në këto komuna është lejuar identifikimi i votues me dokumente të shtetit të Serbisë, që është në kundërshtim me legjislacionin vendor.