Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), ka mbajtur sot një tryezë debati me temën “Efikasiteti i Komunës së Gjakovës në Prokurimin Publik”. Në këtë tryezë u diskutua në lidhje me menaxhimin që po bënë Komuna e Gjakovës financave publike, përmes procedurave të prokurimit publik. KDI/TIK, ka publikuar një raport në këtë tryezë, në të cilën janë analizuar disa tender të këtij institucioni. Të njëjtit tender janë krahasuar në lidhje me çmimet, kriteret e përcaktuara, dosjen e tenderit etj.
Isuf Zejna nga KDI/TIK, ka shpalosur të gjeturat e raportit të KDI-së në lidhje me tre (3) tender të analizuar dhe monitoruar. Konstatim i përgjithshëm i të gjeturave të raportit ishte se Komuna e Gjakovës ka paguar çmimet shumë të larta për tenderët e analizuar, si dhe nuk ka pasur hartim të duhur të dosjeve të tenderit dhe kritereve teknike. Çmimet e naftës së komunës, paguhen më shtrenjtë se çmimet e naftës në tregun me pakicë, ashtu sikurse kubëzat e betonit, të cilat kanë kushtuar deri në trefishin e mesatares së çmimeve në Kosovë. Çmimet e mirëmbajtjes dimërore të rrugëve po ashtu ishin më të lartat në mesataren e komunave të cilat monitoron KDI/TIK. Gjithashtu në këtë komunë janë gjetur shumë probleme me çmimet për njësi të cilat kanë aplikuar bizneset, si pasojë e hartimit të dosjeve të tenderit në mënyrë jo profesionale.
Armend Vokshi nga Komuna e Gjakovës ka thënë se të gjithë këta tender janë të nënshkruar në kohën e qeverisjes së kaluar, ndërsa komuna është gjetur e detyruar të implementoj këto kontrata. Megjithatë disa kontrata janë shkëputur disa operatorëve ekonomik, për shkak se qeverisja e kaluar ka shpallur tender pa pasur mjetet e nevojshme buxhetore. Për të adresuar hartimin e dosjeve të tenderit, komuna do të angazhoj një kompani konsulentë për të ndihmuar zyrtarët në hartimin sa më të mirë të këtyre dosjeve, për të shmangur kontratat shtesë dhe problemet me çmimet e njësive.
Saranda Hyseni nga dega e AAK-së në Gjakovë, si parti kryesore opozitare në Gjakovë, ka thënë se Komuna e Gjakovës nuk po menaxhon mirë me financat publike, pasi që ka vendosur njerëz politik në krye të institucioneve të prokurimit në Komunë. Sipas Hysenit ka pasur rast që tenderët janë shpallur pasi që kanë filluar të kryhen punimet në terren nga kompanitë. Ajo ka thënë se AAK do të vazhdoj t’i kushtoj një vëmendje të madhe shpenzimeve financiare të Komunës, për të siguruar se ato po menaxhohen në mënyrë të duhur.
Agon Batusha nga Vetëvendosje, ka thënë se prokurimi në Gjakovë shërben për të shpërblyer militantët politik dhe bizneset e afërta. Ai ka thënë se një numër i problemeve vijnë edhe për shkak të Ligjit të Prokurimit Publik, i cili nuk mundëson prokurim efikas. Megjithatë ai ka thënë se duke vendosur njerëz politik në prokurim publik, Komuna e Gjakovës nuk do të zgjidhë këto probleme.
Të pranishmit e tjerë në këtë tryezë kanë thënë se Komuna e Gjakovës duhet të sigurohet që në projektet e prokurimit të sigurohet cilësi e duhur e punëve dhe të shmangen ndërhyrjet politike në prokurim. Po ashtu është kërkuar një profesionalitet më i madh nga zyrtarët e prokurimit si dhe vëmendje e institucioneve hetimore për të mbikëqyrur prokurimin publik në çdo institucion. Të pranishmit gjithashtu kanë kërkuar që të kihet vëmendje në çmimet jo normalisht të ulëta dhe fenomenin e tre ofertave që aplikojnë institucionet, për të favorizuar bizneset e afërta.
Ky aktivitet i KDI/TIK është realizuar në kuadër të projektit Transparenca dhe llogaridhënia në prokurimin publik në nivelin lokal, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.