Te rinjte e rajonit te Ferizajt u kerkojne te zgjedhurve qe t’i perfaqesojne me mire ne Kuvend

29.03.2017

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar debatin publik të radhës për llogaridhënie, me të zgjedhurit dhe të rinjtë e rajonit të Ferizajt. Pjesë e panelit diskutues ishin deputetët e Kuvendit të Kosovës: Agim Aliu (PDK), Adem Salihaj (LDK) si dhe Faton Topalli (LVV). Për gati dy orë ata diskutuan rreth formave të llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së të rinjve në proceset zgjedhore dhe politike. Me këtë rast të rinjtë e këtij rajoni kërkuan nga deputetët që t’i përfaqësojnë më mirë në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti Agim Aliu, theksoi se llogaridhënia politike dhe transparenca janë thelbi i një demokracie në një shtet demokratik. “Llogaridhënia politike është një detyrim për të gjithë ne që ushtrojmë përgjegjësi publike. Do ta quaja një borxh pasiv që ne e kemi ndaj qytetarëve tanë. Në demokracitë përfaqësuese çfarë është edhe kjo në Republikën e Kosovës, sovrani përmes votimit bën zgjedhjen e përfaqësuesit të tij, të cilët më pas do të jenë zëri i tyre karshi interesave qytetare”, ka thënë ai.

Ndërsa Deputeti Adem Salihaj ka thënë se esenca e zgjedhjeve do të ishte që të përkrahet një program politik dhe jo ‘blanco’ një parti politike. “Pra, komunikimi mes nesh gjatë fushatës zgjedhore bëhet për program politik. Ne kërkojmë votat për të realizuar një program politik që ka lidhje me zhvillimin e arsimit, zhvillimin e ekonomisë, kulturës, të aspekteve të ndryshme të shoqërisë sonë, dhe ne bëjmë një pakt, pra një marrëveshje me ju, që të na votoni ne, me kusht që ta realizojmë atë program politik që e kemi premtuar në fushatë. Pra, llogaridhënia do të duhej të kërkohej në këtë drejtim”, ka theksuar ai.

Deputeti Faton Topalli, ka vlerësuar se në Kuvendin e Kosovës ka shumë deputetë që nuk flasin apo flasin shumë pak gjë që sipas tij tregon se kanë një angazhim minimal, e që nuk pritet nga votuesit. “Një pjesë e llogaridhënies, së paku për mua si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, është përmes takimeve të shumta të cilat ne i mbajmë me qytetarë, qoftë nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës, qoftë nëpër komuna.Takimet e tilla janë shumë të shpeshta”, ka shtuar ai.

Ky debat është organizuar me mbështetje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, në kuadër të projektit “Fuqizimi i votueseve të rinj për të marrë vendime duke qenë të informuar dhe duke i ndihmuar ata që t’i mbajnë politikanët llogaridhënës”.