Te rinjte e Pejes debatojne dhe kerkojne llogari nga te zgjedhurit e tyre

06.02.2017

Studentë dhe të rinj nga rajoni i Pejës, sot në ambientet e universitetit publik në Pejë “Haxhi Zeka” u përballën me katër deputetet e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarin e komunës së Pejës. Ky debat kishte për qëllim nxitjen e angazhimit të të rinjëve për të kërkuar llogari nga të zgjedhurit e tyre.

 

Panelistët, deputetë nga rajoni i Pejës, znj. Safete Hadërgjonaj (PDK), znj. Besa Gaxherri (LDK), znj. Shqipe Pantina (LVV) dhe znj. Teuta Haxhiu (AAK) dhe kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri (LDK) iu përgjigjen interesimit të madh të studentëve për shumë çështje që lidhen me transparencën, politikat komunale, universitetin si dhe premtimet direkte të kryetarit të kësaj komune.

E përbashkëta nga deklarimet e panelistëve ishte se llogaridhënia e të zgjedhurve karshi votuesve nuk është e kënaqshme dhe ndodhë vetëm në kohë të zgjedhjeve. Ata potencuan se nuk është arritur që të zhvillohet një komunikim I kënaqshëm dhe përfshirja e të rinjëve në proceset politikëbërëse. Poashtu inkurajuan të rinjtë që të kyçen aktivisht për të kërkuar llogari përmes formave të ndryshme, takimeve, debateve e mjeteve tjera që ofron teknologjia informative.

Deputetet njëherësh anëtare të Komisionit për Buxhet dhe Financa, u zotuan se do të gjejnë zgjidhje për financimin e bursave të studentëve të Universitetit “Haxhi Zeka”, të cilët studentët nuk i marrin tash tre vite.

Ky debat u organizua nga KDI me mbështetje të Ambasadës Britanike në Prishtinë në kuadër të projektit  “Fuqizimi i votueseve të rinjve për të marrë vendime duke qenë të informuar, dhe duke i ndihmuar ata që t’i mbajnë politikanët llogaridhënës”.