Ne nuk kemi autoritet shtetëror, politik, akademik apo moral që përfaqëson dhe artikulon mendimet dhe kërkesat tona, sepse ne kemi zgjedhur që të jetojmë dhe të udhëhiqemi si mëhallë
Po dështojmë në të gjitha dimensionet të udhëhiqemi e të krijojmë vlera qytetare, politike, e shtetërore, ndaj vazhdojmë të jemi peng të një mentaliteti fisnor e patriarkal. Vendi i ynë ditë e më shumë po merr karakterin e një province gjeografike në glob, por assesi të një shteti me institucione dhe politikbërje në hartat e shteteve.
Përfaqësues shtetëror, udhëheqës politik, akademik, profesor, mjekë, analistë, opinionistë, aktivistë e gazetar, shtetit po i japin karakterin e mëhallës duke u vetëkënaqur me të pasurit rolë në mëhallë. Po udhëhiqemi nga teoria më mirë i pari në mëhallë se i fundit në shtet. E më së paku na intereson të kemi shtet.
Shtetin veç e kemi iluzion teorik, për aq sa e dimë ndonjë definicion çka është shteti. Ne bëhemi se po bëjmë shtet e po bëjmë politikë, por aspak s’besojmë në politikën që bëjmë, e as në shtetin që e udhëheqim. S’po mundë ta tejkalojmë këtë iluzion përtej vlerave dhe karakterit të viteve të 90-ta, kur vetëkënaqeshim me simbolikat e shtetit. Edhe atëherë bënim jetë politike e shtetërore, shkollë, kulturë, debat, analizë, shëndetësi e gjithçka tjetër. Të njëjtë jemi dhe sot!
Ne, vetëkënaqemi pse kemi e jemi presidentë, kryeministër, kryetarë partie në opozitë apo pushtet dhe mjaftohemi të luajmë rolin. Mjaftueshëm kënaqemi kur t`i mbledhim disa sejmenë prapa vetes dhe paraqesim fuqinë tonë në drejtimin e mëhallës.
Ne zgjedhim president shteti në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve e të përfaqësuesve politik, këmbejmë votën me ndonjë terminal dhe i shantazhojmë. Nën breshëritë e kallashit festojmë zgjedhjen e presidentit! Paramendojeni një shtet të tillë me vlera demokratike dhe një president shteti që zgjidhet e kremtohet kësisoj.
Ne fyejmë përfaqësuesit politik, gratë e te gjithë qytetarët, kërcënojmë, linçojmë, shantazhojmë votuesit, përfaqësuesit e zgjedhur dhe udhëheqim institucionin e kryeministrisë… Paramendojeni një kryeministër të tillë në një nga shtetet perëndimore.
Ne, kundërshtojmë politikisht dhe gjuajmë gazë lotsjellës në parlament, zgjedhim formën dhe mënyrën se a do t`i bindemi policisë apo ta urdhërojmë atë nga pozita e përfaqësuesit politik. Luajmë rolin e të paprekshmit përballë shtetit. Paramendojeni një deputet të tillë në parlamentet e vendeve perëndimore.
Ne gjuajmë institucionet me koktej molotov, thyejmë zyre dhe djegim makina dhe askush se di se kush i bën këto veprime, apo nëse të njëjta i bën dikush tjetër?! Por, shihet qartazi se bindjet tona politike po i shprehim përmes koktejit të molotovit, gurëve e djegies se makinave dhe po bëjmë aktivitete politike guerile. Nëse këto veprime kanë mesazhe politike e jo kriminale e viktimizuese, paramendojeni një angazhim qytetar me veprimet politike në Evropë.
Ne e luajmë rolin e policit, hetuesit, avokatit e gjyqtarit, bëhemi se po luftojmë krimin e korrupsionin, e vetë jemi të përfshirë e ndërmjetësues në krim e korrupsion.
Ne nuk qesim fare stenda ose qesim pa nevojë, ndaj për pasojë rrezikojmë jetë njerëzish, teksa mjekët protestojnë kundër hetimeve për mitmarrje.
Ne bëjmë universitete e fakultete pa profesorë e pa studentë, akademi e doktorë shkence pa pas shkencë fare, apo me ndonjë artikull a libër paçavure që s`i lexojmë e kuptojmë vetë, lërë të tjerët.
Ne e luajmë rolin e të gjithëdijshmëve pa ditur as A-në. Jemi ekspertë universal, bëjmë libra, lajme e analiza pa e ditë kurrë se si bëhet një libër apo analizë… shpalosim ide, të cilat çdo qytetar i Kosovës në secilën familje a kafe t`i artikulon më mirë.
Ne e bëjmë të kulturuarin e artistin, bëjmë filma emisione televizive sikur në kasetat e viteve të 90-ta, keqpërdorim e vjedhim dhe në kulturë e art.
Ne shpikim debate pa asnjë përmbajtje, kush e do Amerikën e perëndimin e kush se do, megjithëse nuk e duam as veten.
Ne i duam Amerikanët e perëndimorët, jo nga frika se po na braktisin, por nga ajo që s’kemi politikan, s’kemi përfaqësues, sepse shumica ka zgjedhur të udhëhiqet nga disa njerëz që në perëndim zor do ta bartnin statusin e qytetarit të përgjegjshëm e le më të burrështetasit apo politikanit.
Ne nuk kemi autoritet shtetëror, politik, akademik apo moral që përfaqëson dhe artikulon mendimet dhe kërkesat tona, sepse ne kemi zgjedhur që të jetojmë dhe të udhëhiqemi si mëhallë.
Pavarësisht se sa larg njihet dhe nga kush merret seriozisht kjo mëhallë dhe të qenit udhëheqës, mjaftohemi me fuqinë fizike materiale e fisnore dhe jemi të kënaqur me rolin individual që kemi.
Ka edhe më shumë për NE, por po e përmbyll me thënien e Millard Fillmore, presidentit të XIII të SHBA-ve: ‘’I madhi Zot, shpëtoje vendin tim, sepse po shihet se populli nuk do ta bëjë këtë!’’