SHSKUK vazhdon procesin e tenderimit për Spitalin e Podujevës, duke rrezikuar të hyjë në detyrime financiare

Reagime 19.01.2021

Në dhjetor 2020, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kishte shpallur tenderin për Ndërtimin e Spitalit në Podujevë me vlerë të parashikuar 9,159,833.81 euro. Ndonëse në Ligjin për buxhetin 2021 nuk figuron linjë buxhetore për këtë projekt, SHSKUK ka vazhduar me zhvillimin e aktivitetit të prokurimit, duke e bërë hapjen e ofertave më 18 janar 2020.

Në këto rrethana, vazhdimi i kësaj procedure të prokurimit pa mjete buxhetore të alokuara nuk është në përputhje me kuadrin ligjor që rregullon ketë çështje.  Rikujtojmë që sipas nenit 9 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), nëse Autoriteti Kontraktues është autoritet publik ose organizatë buxhetore atëherë Zyrtari Kryesor Financiar në pajtim me dispozitat e aplikueshme të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publik dhe Përgjegjësitë dhe Rregullat Financiare do të sigurojë nëse janë ndarë mjete të mjaftueshme financiare për prokurimin përkatës në shumë të mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve që mund të dalin si rezultat i prokurimit në fjalë gjatë vitit aktual fiskal.

Pasi që mjetet financiare nuk janë të parapara në buxhetin 2021 dhe është duke vazhduar ky proces tenderues, SHSKUK rrezikon të hyjë në obligime financiare ndaj Operatorëve Ekonomik pasi që nuk kanë në dispozicion shumën e caktuar për këtë projekt.

KDI rekomandon që SHSKUK-ja të anuloj këtë aktivitet të prokurimit duke qenë se i njëjti nuk është duke u zbatuar sipas dispozitave ligjore. Përderisa, për këtë projekt në buxhetin e vitit 2020 ishin ndarë 150,000.00 euro, KDI kishte gjetur se në projektligjin për buxhetin e vitit 2021 ky projekt nuk kishte linjë buxhetore. Për këtë më datë 15 dhjetor 2020 KDI ka bërë thirrje që ky “lëshim” të adresohet gjatë amendamentimit të projektligjit për buxhet 2021, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.