Lista e Barnave Esenciale (LBE) që rregullon blerjet e barnave në Kosovë është aprovuar në shtator të vitit 2019. Respektimi i kësaj liste është i obligueshëm për blerjet nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar I Kosovës (SHSKUK).
Në Listën e Barnave Esenciale disa nga produktet medicinale (barnat) janë shenjëzuar me simbolin e katrorit, i cili ka këtë kuptim:
SIMBOLI I KUTISË KATRORE (?) ka për qëllim kryesisht të tregojë performancë të ngjashme klinike brenda një klase farmakologjike. Në rastet kur ka kuti katrore furnizimi mund të bëhet me cilindo produkt brenda asaj kategorie farmakologjike në harmoni me procedurat e parapara për këtë qëllim.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës nuk ka respektuar këtë dispozitë në tenderin për furnizim me RIVAROXABAN të datës 19 maj 2020 (Nr. i prokurimit 00220-20-1635-1-1-1, në Lot 2).
Në këtë rast, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës nuk ka pranuar ofertat e operatorëve ekonomik të cilët kanë ofruar barna alternative.
Mos pranimi i barit alternativ i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 174.9% më shtrenjtë, pasi që oferta e shpërblyer ishte 17,938.80€ ndërsa oferta e barit alternativ ishte vetëm 6,523.20€.
Në tenderin për furnizim me ENOXAPARIN të datës 19 gusht 2020 (Nr. i prokurimit 00220-20-3923-1-1-1, në Lot 1), pas pyetjes nga një operator ekonomik se a i lejohet ofertimi me barna alternative, SHSKUK nuk kishte lejuar një ofertim të tillë.
Ministria e Shëndetësisë dhe grupi hartues i Listës Esenciale e theksojnë rëndësinë e përdorimit e barnave ose produketeve alternative nga Autoritetet Kontraktuese, ngaqë kështu rritet konkurrenca brenda klasave të njëjta terapeutike, dhe menaxhohet më mirë shpenzimi i parasë publike.