Shoqëria Civile u bën thirrje deputetëve për t’a ratifikuar marrëveshjen për kufirin shtetëror me Malin e Zi

Reagime 05.03.2018

Në tre vitet e fundit, çështja e demarkacionit me Malin e Zi pothuajse ka paralizuar jetën institucionale në Kosovë dhe secila shtyrje e mëtutjeshme do të dëmtojë edhe më shumë qytetarët dhe procesin e integrimeve evropiane të vendit tonë.

Subjektet politike përfundimisht duhet t’i hapin rrugë idesë së bashkëpunimit e konsensusit, sado i vështirë të jetë ai, për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve të vendit. Qytetarët e  Kosovës përmes votës së lirë kanë zgjedhur përfaqësues nga të cilët presin përgjegjësi dhe përfaqësim të interesave të tyre. Nuk ka fare dyshim se me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të përmbushet kushti i pashmangshëm në rrugëtimin e  Kosovës drejt liberalizimit të vizave.

Ne, organizatat e shoqërisë civile vlerësojmë se debati rreth demarkacionit është konsumuar dhe se tash duhet të veprohet konkretisht për të zhbllokuar situatën, sidomos duke pas parasysh se tani Republika e Kosovës ka në dispozicion mekanizma ligjor për të ri-negociuar me Malin e Zi për përmirësimet eventuale të marrëveshjes për vijën kufitare, nëse faktohet që janë bërë gabime në përcaktimin e saj.

Andaj, përmes kësaj letre, edhe një herë u bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke zgjidhur një nyje që ka mbajtur të lidhur skenën politike kosovare për vite të tëra, por edhe duke shënuar hapa progresiv drejt përfundimit të izolimit të qytetarëve të vendit për udhëtimin e lirë në vendet e Schengenit.

 

Demokraci Plus (D+)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

Instituti KIPRED

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Inicitiva për Progres (INPO)

Lëvizja Fol

Lëvizja Çohu

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)