Organizata të shoqërisë civile janë bashkuar në një deklaratë, në të cilën shprehin shqetësimin për gjendjen politike të krijuar në vend. Ato dënojnë dhunën dhe mungesëne transparencës, duke i cilësuar si të papranueshme në demokraci.
Ne organizatat e shoqërisë civile, përmes kësaj deklarate reagojmë me shqetësim rreth gjendjes politike të krijuar në vend. Aktet e dhunës dhe gjuha nxitëse e shfaqur kohët e fundit kanë tensionuar situatën politike dhe paraqesin rrezik për përshkallëzim të mëtutjeshëm.
Në këtë kontekst, ne organizatat e shoqërisë civile, dënojmë fuqishëm të gjitha aktet e dhunës të përdorur nga cilado palë e përfshirë në proces. Dhuna si mjet i veprimit politik është e papranueshme në sistemet me vlera demokratike.
Ne vlerësojmë se mungesa e transparencës dhe gjithpërfshirjes në procese të rëndësishme për vendin, nuk duhet të jenë model i qeversisjes dhe vendimmarrjes institucionale në Kosovë.
Me qëllim që t’i ipet epilog gjendjes së krijuar, ne kërkojmë prej subjekteve politike si hisedarë në këtë proces, që të lëvizin nga pozicionet e tyre ekzistuese, të cilat përveçse nuk prodhojnë zgjidhje ato po përshkallëzojnë tensionin politik dhe e vënë në pikëpyetje perspektivën e vendit. Gjuha e dialogut politik është forma e vetme e zgjidhjes së problemeve politike.
Thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike, nuk i shërben daljes nga situata e krijuar politike.
Po ashtu, ne kërkojmë që në këtë proces të përfshihet edhe presidentja e vendit si garante e funksionimit kushtetues të institucioneve.
Organizatat e poshtëshënuara:
EC Ma Ndryshe
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)
Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
OJQ Konsumatori
Lëvizja FOL
Iniciativa për Progres (INPO)
Klubi Avokues për Personat me Aftësi të Kufizuar
POLIS
Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK)
Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (KCIC)
Shoqata e Intelektualëve të Pavarur, Deçan
Syri i Vizionit (SiV)
OJQ – Zana
OJQ – Femrat Aktive të Gjakovës
OJQ – Piramida