Reforma zgjedhore parakusht për zhvillime të reja politike

25.04.2016

Mund të duket pretendim i tepruar, por për ta reformuar qeverisjen dhe jetën politike duhet të bëhet progres drejtë reformimit të sistemit zgjedhor.

Sistemi aktual është pengesë për demokratizimin e partive politike dhe për pasojë nxjerr të zgjedhur jo përfaqësues, institucione pa integritet, fuqizon modelin e politik bërjes nga lideri, favorizon klanet dhe grupet klienteliste.

Reformimi i nevojshëm i sistemit zgjedhor duhet të jetë i orientuar drejtë reformës e cila afirmon vullnetin qytetar. Reformë, e cila do të garantojë pikënisjen e ndryshimit të mendësisë politike dhe qeverisëse, si efekt i kushtëzuar nga përgjegjësia dhe llogaridhënia e të zgjedhurve. Hapja dhe mbyllja e listave, të cilat kanë filluar të diskutohen në kuluaret e partive politike, pa një reformë rrënjësore të sistemit zgjedhorë, vetëm sa sforcon veprimet shpërfillëse të institucioneve dhe politikës karshi vullnetit qytetar.

 Ky sistem zgjedhor nuk përben lidhjen universale që duhet ta ketë i zgjedhuri me zgjedhësin, siç janë përfaqësimi dhe llogaridhënia. Por krijon lidhje të veçanta, të cilat janë si bartëse të atributeve tjera, përtej të cilave s’po arrijmë të dalim me vite të tëra. Vota asnjëherë s’do të jetë plotësisht e lirë, gjithnjë do t`i nënshtrohet cenimit të lirisë për të zgjedhur dhe për të zhvilluar vlerat e demokracisë përfaqësuese. Votuesit duhet të zgjedhin opsionet të cilat ata besojnë dhe janë rezultat i lirisë së tyre për të zgjedhur, e jo opsione të cilat janë të domosdoshme.

Qëllimi e liderëve politik dhe klaneve të tanishme apo në tentativë, për të zotëruar vullnetin dhe lirinë e qytetarëve sipas koncepteve dhe bindjeve të tyre, jo që ka provuar se është i paarritshëm, por do të mbetet i paarritshëm. Kjo nuk është arritur në tërësi madje as në shtetet moniste.

Kosova ka zgjedhur sistemin proporcional me lista të hapura, dhe është vetëm një zonë zgjedhore nga ku zgjedhën 120 deputetë. Nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit të mbajtura në vitin 2014, rezulton se deputetët vijnë nga 22 komuna, teksa 16 komuna të tjera nuk kanë asnjë përfaqësues në Kuvend. Në anën tjetër në vitin 2011, Kuvendi kishte miratuar një Rezolutë përmes së cilës mbështet krijimin e më shumë zonave zgjedhore që do të garantonte përfaqësim më të mirë të të gjitha komunave.

Nga ajo kohë, reforma zgjedhore nuk ndodhi. Pa reformë zgjedhore si burim i përfaqësimit gjithëpërfshirës, s’mund të gjenerohet realitet tjetër politik. Mund të duket pretendim i tepruar, por për ta reformuar qeverisjen dhe jetën politike duhet të bëhet progres drejtë reformimit të sistemit zgjedhor.

Prandaj, reformimi i sistemit zgjedhor s’do të mundë të prolongohet apo shtyhet në pafundësi, sepse vetë nevoja për përfaqësim do të zhvilloj situata dhe politika të cilat do ndikohen nga vetë qytetarët. S’do të mbesin veprimet e partive politike të njëanshme në raport me qytetarët. Pa dimensionin e përfaqësimit qytetar dhe ndjesisë së qytetarit se nuk është i përjashtuar nga funksionalizimi i demokracisë dhe pluripartizmit nuk do të mund të zhvillohet pluripartizmi dhe demokracia llogaridhënëse.

 

Nëse ndryshimi i mendësisë politike limitohet vetëm në kundërshtimet ndërpartiake , krijimin e subjekteve apo lëvizjeve të reja politike, ndërtimin e koalicioneve apo blloqeve politike, dhe nuk përfshin një reformë zgjedhore përmbajtësore, atëherë edhe  një periudhë të gjatë do të qeverisemi nga vlera dhe mendësi të njëjta politike.