Reforma zgjedhore – Nevojë apo Justifikim?!!

13.05.2011

Ditëve të fundit më shumë se kurdoherë tjetër janë shtuar zërat për nevojën e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor. Sigurisht që këtyre zërave i parapriu dëmtimi i rëndë i procesit të fundit elektoral, duke u pasuar më vonë me marrëveshjen politike të tri subjekteve politike (PDK,LDK dhe AKR) për ndryshimet Kushtetuese dhe reformën në legjislacionin zgjedhor, marrëveshje e cila u konkretizua nga Kuvendi i Kosovës duke formuar dy komisione parlamentare për jetësimin e këtyre reformave.

A është me të vërtet nevoja për këto ndryshime apo vetëm përpjekje për të justifikuar parregullsitë dhe manipulimet që i shoqëruan të gjitha proceset e deri tanishme elektorale në Kosovë?!!!.
Qytetarët e Kosovës gjithnjë e më tepër po e humbin besimin në të gjitha organet që administrojnë dhe e përcjellin procesin zgjedhor : Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ( me të gjitha organet e saja vartëse – KKZ –të dhe KVV-të), subjektet politike, organet qe trajtojnë ankesat, organet që ndjekin manipuluesit (policinë, prokuroritë, gjykatat) etj. Tendenca që të amnistohen të gjitha të këqijat që ndodhën gjatë zgjedhjeve të kaluara, me theks të veçantë manipulimet në zgjedhjet e 12 dhjetorit, përmes të ashtuquajturës reformë elektorale nuk i shërbejnë ndërtimit të demokracisë e çka është më e rëndësishmja nuk i shërbejnë ngritjes së kulturës së besimit te qytetarëve në institucionet shtetërore. 
A mjaftojnë ndryshimet në legjislacionin zgjedhor si: ndarja e Kosovës në distrikte (zona)zgjedhore, ndryshimi i sistemit zgjedhor, heqja e votave me kusht, që të ndikojnë në ngritjen e besimit të qytetarëve në këto institucione? Përgjigja do të ishte: gjithsesi jo. Institucioneve të Kosovës më tepër se kurrë më parë i duhen veprime konkrete në dhënien e dënimit të merituar të gjithë atyre që u bënë pjesë e manipulimit të votës së qytetarëve të Kosovës. Subjektet politike duhet të demonstrojnë vullnetin e tyre jo vetëm deklarativ në parandalimin e militantëve në shkatërrimin e procesit zgjedhor. Sjelljet e tilla do të ishin parakusht themeltar për të ndikuar në perceptimin e qytetarit se shteti më në fund ka filluar të funksionoj dhe vota e tij nuk do të cenohet. Në të kundërtën çfarëdo reforme e realizuar nuk do të mund t’i parandaloj ata të cilët po bëhen shërbëtorë të shëmtimit e demokracisë dhe të minimit të të gjitha proceseve demokratike në Kosovë. 
A është e nevojshme reforma zgjedhore? Përgjigja do të ishte: Gjithsesi po, madje jemi vonuar….!! 
Kosova si një demokraci e re e cila edhe më tutje po përballet me sfidat fillestare të shtet-ndërtimit, me këtë edhe çdo proces elektoral nxjerrë mësimet e veta, e cila më pas rezulton me nevojën për t’ia përshtatur legjislacionin, sistemin dhe gjithë procesin elektoral, mentalitetit dhe rrethanave që e karakterizojnë shoqërinë Kosovare. Megjithatë krijimi i perceptimit se shkopi magjik i evitimit të problemeve, që do ta kthejë besueshmërinë dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor në Kosovë, është pikërisht reformimi i legjislacionit dhe sistemit zgjedhor, është vetëm një “justifikim” apo përpjekje për të dëshmuar kuazi përkushtimin e klasës politike në Kosovë për evitimin e parregullsive dhe problemeve që po i dëmtojnë shumë seriozisht proceset elektorale, e që në fakt katalizator i të gjitha manipulimeve janë pikërisht njerëzit e afërt të subjekteve politike. Kurrfarë ndryshimesh pozitive nuk do të mund të sjellë as edhe legjislacioni dhe praktikat më të mira anekënd botës, nëse nuk ka një vullnet në radhë të parë të vetë subjekteve politike që të ndalojnë rekrutimin e militantëve të tyre për të manipuluar procesin zgjedhor si dhe përkushtimin dhe veprimet konkrete të organeve ndjekëse që të gjithë manipuluesit dhe shtytësit e tyre të vihen para drejtësisë. 
Se a do të ishin të mjaftueshme këto veprime për të ndikuar në ngritjen e besimit të qytetarëve në institucionet tona shtetërore? Këtë më së miri do ta dëshmojë koha. Megjithatë diçka është më se e sigurt – NUK KEMI ALTERNATIVË TJETËR.

Driton Selmanaj – Menaxher Programi në Institutin Demokratik të Kosovës
P.S. Qëndrimet e shkruara janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet e Organizatës ku punon.

Opinion i botuar në Zëri më 13.05.2011