Prishtinë, 22 janar 2010. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Qendra për Hulumtime Shëndetësore (QHSH), kanë organizuar debat me temën ?Shëndetësia dhe Legjislacioni aktual në Kosovë?. Panelistë në këtë tryezë ishin ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, deputetja Nurishahe Hulaj anëtare e komisionit parlamentar për shëndetësi dhe Haxhi Avdyli nga Qendra për Hulumtime Shëndetësore. Pjesëmarrës tjerë në këtë tryezë ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe udhëheqës të institucioneve shëndetësore publike dhe private. Qëllimi i tryezës ishte që të diskutohet legjislacioni aktual në shëndetësinë e Kosovës si dhe të shikohet mundësia e avancimit të ligjeve ekzistuese në mënyrë që të jenë sa më të zbatueshme dhe në interes të qytetarëve të Kosovës.
Gjatë fjalimit të tij në këtë tryezë, ministri Alush Gashi ka shpalosur agjendën e procedimit të projektligjeve që kanë të bëjnë me shëndetësinë. ?Javën e ardhshme presim që në Kuvend të arrijnë edhe tri ligje. Ligji për sigurimet shëndetësore, na ka marr shumë energji?, ka thënë Gashi. Ai ka kërkuar më shumë mbikëqyrje parlamentare, duke e konsideruar si element shumë të rëndësishëm. ?Unë kam shprehur interesimin që para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, të shpalos rezultatet e agjendës legjislative për shëndetësinë?, deklaruar ministri Gashi, duke shtuar se mbikëqyrja parlamentare është tepër e rëndësishme dhe vendimtare për shoqëritë demokratike. Ministri Gashi ka folur edhe për ndarjen e sektorit publik, nga ai privat. Sipas tij, kjo do të krijonte mundësi të barabarta për punëtorët shëndetësor.
Ndërkohë, panelistja Nurishahe Hulaj, nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, ka kërkuar më shumë vullnet nga ekzekutivi për ta mbështetur sektorin shëndetësor. ?Në vendin tonë mungon përkrahja qeveritare për ligjet që rregullojnë fushën e shëndetësisë ?, ka thënë ajo, duke kërkuar që të ndryshohet kjo praktikë.
Panelisti tjetër, Haxhi Avdyli nga Qendra për Hulumtime Shëndetësore ka bërë vërejtje në procesin e bërjes dhe implementimit të ligjeve për shëndetësinë. ?Sa i përket procesit legjislativ, qasja jonë konfirmon se ka cilësi të dobët legjislative, si në procesin e hartimin, po ashtu edhe në zbatimin e tyre në praktikë. Avdyli ka kërkuar që draftimi i Projektligjit të ri për Shëndetësinë të bëhet me shumë kujdes duke u konsultuar me praktikat më të mira të rajonit dhe duke marrë parasysh specifikat e vendit tonë.
Një diskutim i veçantë është bërë edhe për problemin e mos-implementimit të ligjeve aktuale shëndetësore. Zijadin Gashi nga Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale ka thënë se ligjet aktuale janë vështirë të implementuara. Sipas tij, këto ligje po ia humbin vlerën punëtorëve shëndetësorë. Edhe Talat Gjinolli ka folur për Ligjin për Veprimtarinë Private në Shëndetësi, të cilin e ka konsideruar si të mangët. Ndërkohë, ai ka folur edhe për problemet në licencimin e institucioneve shëndetësore private, që krijon ky ligj.
Në tryezë është diskutuar edhe për paqartësitë që ka sistemi shëndetësor në tërësi. Deputetja Qamile Morina ka kërkuar qartësimin e sistemit të financimit të fondit shëndetësor.
Asllan Bajrami nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka vlerësuar se ndarja e sektorëve: privat dhe publik, do të ishte i dobishëm për shëndetësinë kosovare, por ai ka kërkuar që së pari të përmirësohen pagat e mjekëve në sektorin publik.
Ky debat është vlerësuar me rëndësi të veçantë, ndërkohë është kërkuar që të vazhdohet me një cikël të debateve për ligjet e shëndetësisë.
Rekomandimet dhe përfundimet e tryezës:
Është imperative reformimi i sistemit shëndetësor në Kosovë;
Kërkohet zbatueshmëri e plotë e ligjeve ekzistuese;
Të qartësohen mënyrat e financimit të Fondit për Sigurime Shëndetësore;
Të ndryshohet Udhëzimi administrativ për Fondin për trajtim jashtë vendit. Të parashihen shërimet brenda vendit në institucionet private;
Të merren shembuj nga praktikat e vendeve të rajonit për ndarjen e sektorit publik dhe atij privat;
Është e nevojshme decentralizimi i institucioneve shëndetësore;
Të gjinden modalitete ligjore për mënyrat e pagesave për të huajt dhe atyre të siguruarve në kompani private për shërbimet shëndetësore;
Të rregullohet çështja e licensimit të institucioneve shëndetësore.