Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot tryezën e diskutimit “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?”, një diskutim mes përfaqësuesve të partive parlamentare, shoqërisë civile dhe medias.
Në hapjen e tryezës, Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, theksoi që KDI, prej katër vitesh i ofron asistencë Kuvendit të Kosovës, duke synuar fuqizimin e rolit mbikëqyrës të tij ndaj procesit të dialogut Kosovë-Serbi, për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe pjesëmarrje qytetare në këtë proces. Kryeziu shtoi se me përfshirjen direkte amerikane, procesi i dialogut ka marrë një dinamikë të re, ndërsa mbetet ende të sqarohen qëndrimet e Qeverisë së re lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe heqjen e tarifës 100%.
Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje, deklaroi që pozita dhe opozita duhet të jenë unike sa i përket dialogut, i cili është në prag të nisjes. Ai theksoi që ky është një proces sfidues, i cili duhet të zhvillohet mbi bazën e tri parimeve, përkatësisht që nuk mund të ketë marrëveshje pa dialoguar, nuk mund të ketë dialog me harta dhe procesi nuk duhet të reduktohet në dy individë, qofshin ata presidentë apo kryeministra të dy vendeve. “Taksa do të hiqet kur të krijohen kushtet për zbatim të reciprocitetit me Serbinë. Reciprociteti do të vendoset pasi që të bëhet analiza dhe skanimi i gjendjes brenda sektorëve të ndryshëm që do t’i ndikojë reciprociteti”, tha ai. Abrashi shtoi që taksa e ka humbur efektin e saj dhe nuk po sjellë efektet e dëshiruara.
Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, vlerësoi që taksa është përdorur si mjet politik nga qeveria e kaluar dhe ka sjellë dëme politike për Kosovën në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Ai tha që Qeveria po shqyrton heqjen e taksës, dhe vendosjen e reciprocitetit duke mos i penguar sërish bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA-ja. “Në të gjitha raportet ku Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk do ta njohë Serbinë” deklaroi ai. Në terma konkret, sipas tij, reciprociteti do të zbatohet ndër të tjera lidhur me kodin ndërkombëtar tregtar, certifikatat e sigurisë ushqimore/fitosanitare, automjetet e transportit dhe arsimin. Ndërsa, lidhur me reciprocitetin politik në raport me lobimin e Serbisë, ai foli për garancat e plota të bashkësisë ndërkombëtare për ndaljen e kësaj fushate të Serbisë, pa përjashtuar veprimet tjera analoge që mund të ndërmerren.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, deklaroi që opozita do të jetë konstruktive dhe kujdestare e Kosovës së 17 shkurtit të 2008. Haradinaj u shpreh kundër heqjes së taksës, pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Sipas tij, taksa ka pamundësuar pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Ndërsa në anën tjetër shtoi se “Deri sa nuk ka njohje reciproke, nuk mund të ketë as funksionalizim të reciprocitetit”. Haradinaj shtoi që taksa nuk e ka bllokuar dialogun, sepse i njëjti është duke vazhduar dhe janë arritur marrëveshje për autostradën, hekurudhat dhe linjën ajrore mes dy vendeve.
Haxhi Shala, shef i grupit parlamentar NISMA-AKR, potencoi që vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e njëjtë lidhur me taksën. Ai shtoi që është e paqartë se çfarë do të bëjë koalicioni qeverisës lidhur me bisedimet, si dhe çfarë nënkuptohet me reciprocitetin. “Në bazë të deklaratave të ambasadorëve, edhe reciprociteti, njejtë sikur taksa do të jetë bllokuese e procesit. Nëse nga një bojkot ndërkombëtar për shkak të taksës, po shkojmë tek një bojkot i dytë për shkak të reciprocitetit, atëherë pse të lëvizet nga taksa?” deklaroi ai. Lidhur me qëndrimin për dialogun, Shala shtoi që ata do të jenë konstruktiv dhe kur të ketë platformë të qartë mbi atë se çka do të bëjë ekipi negociues, do të deklarohen se a e mbështesin këtë proces.
Pjesëmarrësit e pranishëm në këtë tryezë kërkuan zgjidhje kreative për zbatimin e taksës dhe reciprocitetit, vazhdimin e dialogut, zbatimin e marrëveshje tashmë të arritura, si dhe u diskutua për efektet ekonomike të taksës, sidomos në pjesën veriore të vendit.
Shih videon e plotë të tryezës këtu.
Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.