Greva e kardiologëve të QKUK për t'i kundërshtuar hetimet e zgjeruara të prokurorisë në rastin e dyshuar për korrupsion, i njohur si rasti ‘’Stentat’’ është në kundërshtim me normat dhe vlerat për një shoqëri pa korrupsion. Gjithashtu veprimi i kardiologëve bie ndesh me betimin e hipokratit dhe në asnjë rrethanë nuk lehtëson shërbimin ndaj pacientëve por përkundrazi rrezikon kualitetin dhe shërbimin për pacientët.
Vetë korpusi i mjekëve, si një ndër shtresat më të edukuara të shoqërisë duhej të përkrahte hetimin dhe gjykimin e pretendimeve për mit marrje dhe përfshirje në një sistem korruptiv.
Qytetarët që kanë nevojë për shërbime të klinikës kardiologjike nuk duhet të bartin pasojat e lojës ping-pong me deklarata mes kardiologëve dhe prokurorisë. Prandaj, kardiologët duhet të ndërpresin grevën dhe bojkotimin e t'i ofrojnë të gjitha kapacitetet dhe resurset në shërbim të pacientëve, dhe në anën tjetër nuk duhet të ndërhyjnë dhe ushtrojnë presion në punën e prokurorisë së shtetit. Kërkesat për takime me ministra janë tentativa për ndërhyrje politike dhe nuk duhet të përdoren për të ushtruar ndikim politik mbi organet e drejtësisë.
Njëkohësisht, Prokuroria e Shtetit duhet të mbajë përgjegjës zyrtarët të cilët ‘rrjedhin’ dokumente konfidenciale që mund të konsiderohen si shantazh nga ana e kardiologëve. Në kohën kur në Kosovë, emrat e vrasësve të shumëfishtë në publik plasohen përmes inicialeve, emrat e kardiologëve janë publikuar në tërësi. Rrjedhja e dokumentit të aktakuzës duket e qëllimshme dhe personat që kanë rrjedhur këtë informacion nga zyra e Prokurorit të Shtetit duhet të mbajnë përgjegjësi. Pikërisht kjo rrjedhje ka dëmtuar besimin në Prokurori të pavarur që ka synim të mbajë përgjegjës shkelësit e ligjit.
Prokuroria e Shtetit duhet të sqarojnë se pse nuk është ngritur asnjë aktakuzë që nga viti 2014 kur kanë filluar hetimet, por vetëm zgjerohet rrethi i të hetuarve. Ky rast duhet të hetohet dhe gjykohet sa më shpejtë në mënyrë që të korruptuarit të marrin dënimin e merituar dhe të përfolurve ndaj të cilëve nuk ka prova tu pastrohet emri.
Sipas Bankës Botërore, qytetarët e Kosovës mesatarisht kanë pesë vite më pak jetëgjatësi se qytetarët e vendeve të rajonit, dhe 10 vite më pak se qytetarët e BE-së për si pasojë e sektorit të dobët të shëndetësisë. Kjo statistikë edhe një herë tregon që qytetari asnjëherë nuk është prioritet për t’i ofruar shërbime kualitative shëndetësore.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), beson në një Kosovë ku qeveria, bizneset, shoqëria civile dhe jeta e përditshme e qytetarëve janë të lira nga korrupsioni.