Prishtinë, 6 prill 2011 – Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar raportin mujor të monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës, për periudhën shkurt-mars 2011.
Në konferencën për media të KDI-së është thënë se në jo më shume se një muaj e gjysmë që nga konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ky institucion është ballafaquar me tri shkelje të natyrave të ndryshme. ?Shkelja e parë konsiderojmë se është mënyra e zgjedhjes së presidentit duke u shkelur dispozitat kushtetuese, për çka KDI kishte tërhequr vërejtjen në ditën e zgjedhjes së tij, dhe të cilën e konfirmoi më pas vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Shkelja e dytë ka të bëjë me vendimin për shitjen e PTK-së të bashkangjitur në mënyrë të kundërligjshme si aneks në Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2011, përkatësisht në Nenin 4 të këtij Projektligji. Dhe, shkelja e tretë vlerësojmë se është zgjedhja e deputetit Fikrim Damka, anëtar të Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave që ka të bëjë me konflikt interesi?, ka thënë Besnik Ramadanaj nga KDI.
Instituti Demokratik i Kosovës konsideron po ashtu se në rastet kur kemi të bëjmë me interesin nacional, Kuvendi duhet të reflektojë konsensus të partive politike. Sipas tij, miratimi i Rezolutës për bisedimet me Serbinë, me shumicë të thjeshtë të votave, respektivisht pa votat e opozitës, konsiderojmë se nuk i shërben interesit nacional. Ky veprim, ai ka thënë se po rezulton me atë që partitë politike nuk po e luajnë rolin për t?iu shërbyer interesave të qytetarëve, por për më tepër ato janë bërë burim i krizave, brenda Kuvendit të Kosovës.
Sa i përket transparencës së Kuvendit të Kosovës, edhe ky fillim-mandat i kësaj legjislature nuk ka reflektuar ndryshim. ?Disa komisione parlamentare, në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit, mbajtjen e mbledhjeve e kanë filluar pa publikimin tyre në ueb-faqen zyrtare të Kuvendit. Pastaj, mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit vazhdojnë të mbahen të mbyllura për organizatat e shoqërisë civile dhe publikun vendor. Dhe problemi i njëjtë po ashtu me legjislaturën e kaluar vazhdon të jetë transmetimi jo më shumë se në orën 17:00?, është thënë po ashtu në konferencë.
KDI gjatë monitorimit të punës së Kuvendit ka evidentuar edhe zhvillime pozitive. Përderisa Qeveria e Kosovës ka rritur numrin e ministrive, Ramadanaj ka thënë se Kuvendi ka zvogëluar numrin e komisioneve parlamentare, duke i zvogëluar edhe shpenzimet. Nga 16 komisione sa kanë qenë, tani i kemi vetëm 13 sosh.
Zhvillimet e fundit politike, kanë ndikuar edhe në dinamikën e punës së Kuvendit të Kosovës. Megjithëse për këtë vit në strategjinë legjislative të Qeverisë janë paraparë për tu miratuar 149 projektligje, në përjashtim të projektligjit për buxhet, sipas tij komisionet parlamentare ende nuk kanë filluar ta shqyrtojnë asnjë projektligj të vetëm.
?Për shkak të rrethanave politike të krijuara pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetueses për Presidentin, KDI vlerëson se institucionet nuk duhet të futen në një proces të ri elektoral, pa kodifikimin e legjislacionit zgjedhor, sistemit zgjedhor dhe procesit zgjedhor në tërësi?, është thënë në fund të konferencës.