Protestohet në mbrojtje të lumit Lepenc

11.10.2019

Qytetarët e komunës së Shtërpcës, pa dallim etnie, që nga viti 2015 vazhdimisht kanë protestuar kundër veprimeve të dëmshme ndaj lumit Lepenc, që përshkon fshatin e tyre.

Aktualisht në këtë lum është në ndërtim e sipër hidrocentrali H3 Viça, me anë të së cilit atyre iu vështirësohet jetesa. Konkretisht pasi që lumi të vendoset në gypat e hidrocentralit, ky veprim do të afektojë bujqësinë dhe blegtorinë.

Këta qytetarë vazhdojnë të protestojnë sepse nuk ishin konsultuar fare gjatë fazës së planifikimit të hidrocentraleve edhe pse korniza ligjore ua garanton një gjë të tillë.

Andaj, stafi i #KDI ka mbështetur sot protestën e tyre.

E drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese edhe këto protesta në mbrojtje të lumenjve dhe ambientit jetësor janë të ligjshme dhe demokratike.

Urdhri për intervenim të policisë ndaj protestuesve në këtë komunë, në protestën e datës 08 tetor 2019, që ishte mbajtur për të njëjtën çështje, është sulm i drejtpërdrejtë ndaj parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Sot, u bë thirrje për shqyrtim të vendimit për ndërtimin e këtij hidrocentrali të vogël, si dhe për t’iu lejuar qytetarëve të shprehin në mënyrë paqësore të drejtat e tyre.