Prokurori i Shtetit dhe Auditori të shtojnë bashkëpunimin për luftim të korrupsionit

21.07.2015

Po bëhet gati një vit që nga largimi i Auditorit Ndërkombëtar ndërsa ende nuk është përzgjedhur Auditori i Përgjithshëm. Kuvendi në seancën e mbajtur javën e kaluar nuk votoi propozimin e Presidentes, ndërkohë që vazhdon të krijohet terren i përshtatshëm për korrupsion. “Është jashtëzakonisht e nevojshme që kjo qasje jo-serioze e politikës të ndryshojë pasi shumë institucione vazhdojnë të mbesin pa udhëheqje”, tha Artan Canhasi – menaxher i programit të transparencës dhe kundër-korrupsionit në KDI. Është përgjegjësi e partive parlamentare  dhe deputetëve që të zgjedhin Auditorin e Përgjithshëm dhe të mundësojnë funksionalitetin e institucioneve vitale te shtetit. Qasja bllokuese karshi këtij procesi është e dëmshme për institucionet e pavarura.

Raportet e ZAP mbi auditimin e institucioneve të ndryshme nxjerrin në siperfaqe elemente të keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të resurseve publike, raste të cilat mund të vlerësohen si vepra penale. Raportet flasin edhe për gabime të paqëllimta, por për të cilat gjithsesi duhet të jepet përgjegjësi. 

Edhe pse ka indikacione që prokuroria synon të shtojë përpjekjet, është e rëndësishme që lufta kundër korrupsionit të bëhet sistematike pasi edhe natyra e korrupsionit në fushën e prokurimit publik është sistematike.

Canhasi tha se “Prioriteti kryesor i Auditorit të Përgjithshëm me rastin e përzgjedhjes duhet të jetë përforcimi i sundimit të ligjit  përmes rritjes se bashkëpunimit me prokurorinë dhe njësinë për krime ekonomike të Policisë duke vendosur mekanizma për shkëmbime të rregullta të informacionit, mes ZAP dhe institucioneve te drejtësisë”.

Isuf Zejna – koordinator i projektit në KDI tha se “numri i shkeljeve në prokurim është jashtëzakonisht i lartë dhe duhet të jetë alarm për institucionet shtetërore e sidomos ato të drejtësisë”. Bizneset kanë parashtruar në OSHP 537 ankesa, 265 prej të cilave janë kthyer në rivlerësim dhe ritenderim, 40 ankesa janë tërhequr ndërsa vetëm  181 janë proceduar si të rregullta, ku i është dhënë e drejtë institucioneve. Parregullsitë më të shpeshta hasen në vlerësimin e ofertave, hartimin e dosjes së tenderit, përkatësisht kushtet e pa qarta dhe përshtatja e kritereve.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka vazhduar me monitorimin e autoriteteve kontraktuese në fushën e prokurimit. Nga monitorimi i 36 institucioneve që ka bërë ka gjetur mbi 660 shkelje të Ligjit dhe procedurave të prokurimit, ndërsa me gjithë këto shkelje numri i personave të cilët janë ndëshkuar penalisht apo me tërheqje të licencës së prokurimit është tejet i vogël.

 

Zejna gjithashtu tha se “është problematik trendi i mbylljes së procesit të prokurimit në krahasim me vitet e mëhershme. Transparenca ulë korrupsionin, kurse në Kosovë ndodhë e kundërta”. Vetëm 282 milion euro janë tenderuar me procedura të hapura, përderisa pjesa tjetër e mjeteve janë prokuruar me procedura të kufizuara 81 milion me negocim, 21.8 milion me kuotim, dhe vlera minimale 2.8 milion. Krahasuar me vitin 2011, rënia është pothuajse dyfish e procedurave të hapura, pasi në vitin 2011 vlera ishte 457 milion euro.

 

Material shtesë nga konferenca për shtyp

Shembuj të të gjeturave nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm me rastin e auditimit të institucioneve

Ministrinë e Arsimit janë bërë punë shtesë jashtë kontratave bazë me kosto totale 750,333€, për projektet e filluara gjatë viteve të më hershme. MASHT ka bërë shkelje të Ligjit për Prokurim Publik, respektivisht Nenit 35.

Ministrinë e Financave është evidentuar ndarja e prokurimeve për t’iu shmangur procedurave të hapura. Kjo ministri duhet të jetë shembull se si duhet të menaxhohet paraja publike. Por për momentin është shembull i keq.

Ministrinë e Punëve të Jashtme është vërejtur ndarje e tenderëve. Nga 43 kontrata 34 janë bërë me kuotim të çmimeve, pra me procedura të mbyllura.

Edhe në Komuna ka shkelje të Ligjit të Prokurimit. Psh. Rasti i Komunës së Prizrenitkur Komuna kishte blerë një veturë të përdorur duke paguar shumën 9,800€. Kriteret e përdorura në procedurën e prokurimit për „‟Furnizim me një veturë të përdorur‟‟ ishin në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Kriteret e tenderit ishin favorizuese duke përcaktuar që vetura duhet të jetë e përdorur, viti i prodhimit të jetë 2009 dhe të ketë 129,000 km të kaluara.

 

Edhe tek vetë organi që trajton ankesat mbi prokurimin publik janë gjetur shkelje. Në Organin Shqyrtues të Prokurimit Auditori ka gjetur se Zyrtari që ka hartuar specifikimin teknik për kontratën Furnizim me pajisje të TI ka qenë anëtar në komisionin e vlerësimit dhe në komision të rivlerësimit dhe i njëjti është caktuar menaxher i kontratës.