“Procesi i dialogut Kosovë-Serbi: Sfidat dhe rruga përpara”, është tema e diskutimit të punëtorisë që Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti me anëtar të shoqërisë civile, përfaqësues të mediave dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë punëtori u diskutua rreth rrugëtimit 7 vjeçar të procesit të dialogut ku u shpalosën qëndrimet e pjesëmarrësve rreth të arriturave dhe mangësive të këtij procesi, çfarë Kosova ka përfituar nga ky proces dhe çfarë ka humbur. Mungesa e transparencës, vet natyra e marrëveshjeve, moszbatimi dhe mosrespektimi i marrëveshjeve të arritura dhe afateve kohore të dakorduara, rinegocimi i vazhdueshëm, mungesa e llogaridhënies nga ana e qeverisë ndaj Kuvendit dhe mos respektimi i Rezolutave të Kuvendit ishin disa nga çështjet e ngritura nga pjesëmarrësit.
Nevoja për ndryshimin e qasjes së Kosovës në këtë proces dialogu dhe për formulimin e një strategjie shtetërore mbi temat, formatin dhe epilogun e këtij procesi u konsideruar si tejet të rëndësishme për fazën e re të dialogut.
Pjesëmarrësit shpalosën opsionet që Kosova ka për hapat e mëtejmë në këtë proces duke argumentuar nga nevoja për pezullimin e këtij procesi për të vlerësuar marrëveshjet tashmë të arritura, e deri të ndërtimi i një platformë shtetërore të Kosovës mbi bazën e një ekipi gjithëpërfshirës të përbërë nga partitë politike dhe i mbështetur nga një ekip ekspertësh. U theksua që rrugëtimi drejtë BE-së për të dyja shtetet ndërlidhet me këtë proces prandaj dhe Kosova duhet të ndërtoj agjendën e saj evropiane dhe të vihet në funksion të prioriteteve të saja shtetërore.
Nevoja për një dialog të brendshëm me qytetarët e Kosovës dhe në veçanti me komunitetin serb në Kosovë u argumentua si e rëndësishme ndërsa u theksua që ky proces nuk duhet të prek shtetin qytetar dhe funksionimin unitar kushtetues të Kosovës.
Në këtë punëtori u diskutua që Kuvendi i Kosovës duhet të jetë vendi i diskutimit të marrëveshjeve dhe të mandatoj ekipin e ri negociues të palës kosovare. U theksua nevoja që Kosova të vazhdoj të loboj fuqishëm për agjendën e saj në këto bisedime me vendet e BE-së.
Kjo punëtori u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.