Politika nxit konflikt shoqëror në Kosovë

31.10.2015

Gjendja politike, ekonomike dhe sociale për ditë e më shumë është duke krijuar vullnetin edhe nevojën e qytetarëve jo për të ikur sot nga Kosova, por për të ikur dje. Në pamundësi për të ikur sot dhe dje, kjo pakënaqësi qytetare lehtë instrumentalizohet për të shkaktuar konflikte shoqërore.

 

Gjuha politike dhe diskursi publik nga politikanët po përcillet me fjalor fyes, injorues, shantazhues, shpifës, përjashtues, seksist, diskreditues e kërcënues. Ky diskurs publik, përditë e më shumë, nuk ka mesazh apo vizion politik. Ky diskurs na largon nga perspektivat zhvillimore. Ekonomia dhe zhvillimet ekonomike janë në ndërveprim me politikën. Abuzimet janë evidente: derisa gjuha e egër politike merr hov nuk luftohet as korrupsioni, as nepotizmi në administratën e shtetit dhe në ndërmarrje publike, ndërkaq militantët partiakë po vendosen në borde dhe në pozita të tjera udhëheqëse. Të gjitha këto po e dëmtojnë jetën shoqërore dhe – mbase e tepër të thuhet – nuk mund të krijojnë mirëqenie e pavarësi  ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Ky degradim e ka ulur besimin qytetar në margjinat minimale për institucionet, politikën dhe liderët. Sipas «Pulsit publik 10» të UNDP-së dhe USAID-it vetëm 18 për qind e kosovarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe juridike. Sa dramatike është situata tregon ky shembull: 74 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të pakënaqur me punën e kryeministrit Isa Mustafa, ndërsa 66 për qind prej tyre janë shprehur të pakënaqur me punën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Gjendja politike, ekonomike dhe sociale për ditë e më shumë është duke krijuar vullnetin edhe nevojën e qytetarëve jo për të ikur sot nga Kosova, por për të ikur dje. Në pamundësi për të ikur sot dhe dje, kjo pakënaqësi qytetare lehtë instrumentalizohet për të shkaktuar konflikte shoqërore. Liderët dhe grupet politike pretendojnë se janë të ndërgjegjshëm për veprimet e tyre. Po sa është e vërtetë kjo? Ata duket se janë të pavetëdijshëm për potencialin shoqëror, i cili mund të krijojë një përmbytje institucionale e shoqërore – me apo pa dashje.

Themeluesi i psikologjisë së masave Gustave Le Bon konstatonte saktë se: «Turma mund të bëhet lehtë heroike ose kriminale». Shoqëria Kosovare ka paguar tagrin e turmave. Kemi nevojë për politikë serioze dhe jo për turma. Liderët, grupet politike dhe institucionet shtetërore nuk kanë përgjegjësi vetëm për veprimet e tyre. Ato duhet të marrin përgjegjësi edhe për veprimet e qytetarëve – nëse bëhet fjalë për veprime të dhunshme.

Veprimet përjashtuese të pozitës dhe opozitës nuk prodhojnë ndonjë vlerë sa i përket zhvillimeve në të mirë të Kosovës – përkundrazi: ato mund të provokojnë konflikte shoqërore. Kjo gjendje e politikave përjashtuese dhe nxitëse është duke sfiduar sistemin demokratik dhe mund të shkaktojë përmbytje të mëdha të atyre pak vlerave demokratike për të cilat kemi menduar se po i ndërtojmë. Ky barrikadim dhe diskurs politik nga pozita e opozita janë duke sfiduar sistemin demokratik dhe shpërfaqur paaftësinë e politikës për të vepruar dhe zhvilluar një sistem i cili përjashton injorancën, absolutizmin, traditën patriarkale e zakonore.

Nuk mund të ndërtojmë një kurs të zhvillimeve demokratike duke përdorur injorancën, përjashtimin, arrogancën dhe mekanizmat shtetërorë për të shuar opozitën. Por, nuk mund të përdorim as veprimet jo ligjore për të gjunjëzuar ose rrëzuar pushtetin. Dialogu politik, konsensusi dhe kompromisi duhet të jenë pika orientuese për të zhbllokuar situatën. Për të arritur këtë duhet mënjanuar interesat e grupeve të ngushta politike apo individuale.

Situata politike dhe institucionale te ne kanë marrë një karakter kaotik e radikal dhe është e vështirë të kesh një mendim të qartë se cila është zgjidhja e duhur. Por, pa paragjykuar epilogun e një dialogu politik, rrugëdalja më e mirë është tryeza politike e liderëve rreth ideve e besimit për temat që tani e kanë futur politikën, shoqërinë dhe shtetin në një situatë  kritike.

Institucionet shtetërore dhe ligjet duhet ta pasqyrojnë shpirtin e një shoqërie. Por, veprimet e pushtetit dhe opozitës në këtë rast janë duke demonstruar të kundërtën. Liderët dhe politika kosovare po demonstrojnë se institucionet dhe ligjet nuk janë shpirti i shoqërisë kosovare, por diçka e imponuar nga vlerat dhe shpirti i popujve të tjerë. Pas çdo situate kritike dhe konflikti shoqëror, fundi është në tavolinë. Ndaj, uluni sot për të zhvilluar dialog, në të kundërtën nesër do të uleni për t’u gjykuar.