Planifikimi Buxhetor në Komuna i Ngutshëm, në Harresë të Premtimeve dhe pa përfshirje qytetare

25.07.2014

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) bëri publike të gjeturat për mënyrën e planifikimit buxhetor nga ana e disa prej komunave që monitoron kjo organizatë. Jetmir Bakija, Analist për Qeverisje Lokale pranë KDI-së, tregoj që muaji korrik ka qenë shumë i rëndësishëm për planifikimin buxhetor në komuna. Komunat këtë muaj kanë aprovuar Kornizat Afatmesme Buxhetore 2015-2017 dhe kanë rishikuar buxhetin për pjesën e dytë të këtij viti, 2014. 

Mirëpo Z. Bakija shprehu shqetësimin për mos-përfshirjen e disa nga premtimeve të kryetarëve të komunave në Kornizën Afatmesme Buxhetore që planifikon shpenzimet e komunave në 3 vitet e ardhshme (2015-2017). Z. Bakija rikujtoj që këto premtime zgjedhore janë bërë jo më shumë se 7 muaj më parë ndërsa ky planifikim buxhetor prej 3 vjetësh tashmë i aprovuar nga komunat përbën pothuajse tërë mandatin e një kryetari të komunës. 

Qendresa Mrasori-Hamzaj, hulumtuese për qeverisje lokale pranë KDI-së, përmendi disa nga premtimet zgjedhore të Kryetarëve të komunave të lënë jashtë Kornizës Afatmesme Buxhetore 2015-2017 si: Rruga Unazore deri në Kala (komuna Prizren), Hulumtimi dhe hartimi i projektit detal të ujërave të zeza (Komuna Suharekë), Kolektori i ujërave të zeza, faza IV (Komuna Malishevë), Ndriçimi solar dhe rregullimi i parqeve (Komuna Fushë Kosovë), Rregullimi i sistemit të Ujësjellësit (Komuna Viti), ndërtimi për strehim të kafëshve (Graçanicë), Rregullimi i parkut prapa Qendrës për Punë Sociale (Komuna Kamenicë), Shtimi i numrit të Serave (Komuna e Mamushës), Ndërtimi i shkollave në Lapushnik dhe Buqe (Komuna Dragash), Rruga që lidh Deçanin me Plavë dhe mundëson zhvillimin e turizmit (Komuna Deçan), Ndërtimi I parkut të biznesit (Komuna Skenderaj).

Disa komuna nuk i kanë bërë fare transparente në ueb-faqe dokumentet e Kornizës Afatmesme Buxhetore 2015-2017 dhe përmendi këtu komunat si Mitrovica, Prishtina, Kamenica, Deçani, Shtimja, Graçanica, Mamusha, Klina, Prizreni, Fushë Kosova, Malisheva, Suhareka dhe Rahoveci.

Ndërsa për procesin e rishikimit të buxheteve të këtij viti, 2014, z. Bakija shprehu shqetësimin me afatin e shkurtër prej 10 ditësh të dhënë nga Ministria e Financave për aprovimin e rishikimit të buxheteve komunale. Shkresa e lëshuar për komunat nga Ministria e Financave me 8 Korrik, që deri me 18 Korrik të aprovojnë rishikimin e buxheteve shkaktojë nguti në kuvend komunale dhe pakënaqësi tek anëtarët e Kuvendit, sidomos atyre të opozitës, për kohën jo të mjaftueshme për shqyrtim të ndryshimeve në buxhet. Të gjitha komunat thirrën seanca të jashtëzakonshme për aprovimin e rishikimit të buxheteve në mes të muajit korrik dhe në komunat si Kamenica, Skenderaj, Viti, Shtime, Fushë Kosovë, ato u thirrën në një kohë shumë të shkurtër dhe pa u shpërndarë mirë materiali i buxhetit për anëtarët e Kuvendit. 

Z. Bakija në këtë konferencë kërkoj që kryetarët e komunave të përfshijnë premtimet zgjedhore në hartimin e buxhetit për vitin 2015, apo së paku fazat fillestare të këtyre projekteve, si dhe të organizojnë konsultime cilësore dhe gjithëpërfshirëse me publikun për Buxhetin 2015. Po ashtu, KDI kërkojë që draft-buxhetet për vitin 2015 të jenë transparente për publikun në ueb-faqe që qytetarët e interesuar të kenë qasje të lehtë dhe të mund të vijnë në takime publike të përgatitur për kontribut.