Përparim në luftën kundër korrupsionit në Kosovë

Konferenca për media 25.01.2022

Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, i cili përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero deri në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë shoqëri pa korrupsion.

Sipas vlerësimit të Transparency International, Kosova pas 3 vitesh stagnimi në fushën e anti-korrrupsionit sivjet vlerësohet me 39 pikë duke rikthyer tre pikët e humbura. Në këtë mënyrë, Kosova rikthehet në nivelin e vlerësimit në të cilën ishte në vitin 2017 duke shënuar ngritje në tabelën e klasifikimit për 17 pozita (në pozitën e 87-të nga pozita 104 në të cilën ndodhej vitin e kaluar).

Transparency International për herë të parë sivjet ka krahasuar edhe rezultatet e shteteve për periudhën 2012 – 2021. Kosova, gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje prej pesë pikësh, nga 34 në vitin 2012, në 39 në vitin 2021.
Në nivel rajonal, krahasimi i rezultateve me ato të vitit të kaluar tregon se bashkë me Kosovën edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë shënuar progres, me 4 respektivisht 1 pikë. Serbia dhe Bosna e Hercegovina nuk kanë shënuar ndryshim, kurse Shqipëria është vendi i vetëm në “gjashtëshen” e Ballkanit Perëndimor që e ka humbur një pikë.

Edhe në aspektin global, nuk ka ndonjë befasi të theksuar. Nga 180 vende të përfshira në këtë vlerësim, Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re ndajnë pozitën e parë me 88 pikë, të ndjekura nga Singapori, Suedia dhe Norvegjia me 85 pikë.

Raporti i Transparency Internationa thekson se në Kosovë ka pasur transfer paqësor pushteti mes qeverive në vitet e fundit dhe Kosova është i vetmi vend në rajon dhe një nga vetëm pesë vendet në Evropë që, gjatë periudhës së pandemisë, nuk i transferoi kompetencat vendim-marrëse tek ekzekutivi por i mbajti në parlament. Fakti që janë bërë përpjekje për të pasqyruar vullnetin e qytetarëve edhe në kohët më të vështira, është një vendim i përgjegjshëm nga ana e qeverisë dhe për mendimin tonë është shumë e rëndësishme që edhe në rrethana të jashtëzakonshme institucionet të vazhdojnë të kryejnë rolin e tyre. Kosova në këtë drejtim ka qenë një shembull shumë i mirë, duke lënë parlamentin të kryejë detyrat e veta gjatë periudhës së pandemisë.

Por pavarësisht këtij përmirësimi prej tre pikësh, Kosova ka ende shumë për të bërë për të arritur mesataren globale prej 43 pikësh, apo atë evropiane prej 65. Fokusi i institucioneve tona duhet të jenë veçanërisht vazhdimi i procesit të reformës gjyqësore, luftimi i korrupsionit dhe ngritja e transparencës dhe llogaridhënies gjatë procedurave të prokurimit publik dhe emërimeve publike nëpër borde. Instituti Demokratik i Kosovës thekson se për t’u vazhduar progresi në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit:

1. Institucionet duhet të vazhdojnë me zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të ngritjes së besimit të publikut tek organet e rendit dhe ligjit, duke minimizuar ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit dhe prokurorisë. Kjo reformë duhet të jetë gjithpërfshirëse dhe e koordinuar mirë mes të gjithë akterëve relevantë.

2. Lufta kundër korrupsionit të intensifikohet në drejtim të masave parandaluese. Ligji i ri për Agjensionin për parandalimin e korrupsionit, duhet jo vetëm të ndërrojë emrin e Agjensionit, por të sjellë një frymë të re në efikasitetin dhe përkushtimin e personelit të Agjensionit në parandalimin e korrupsionit përmes një procesi më efikas të grumbullimit dhe kontrollimit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë, dhe adresimin ekspeditiv të kërkesave për vlerësimin e rasteve të mundshme të konfliktit të interesit. Agjensioni gjithashtu duhet të fuqizohet edhe në trajtimin e rasteve të sinjalizimit të jashtëm si autoritet kompetent kombëtar.

3. Në fushën e prokurimit publik, kërkohet ngritje e transparencës dhe llogaridhënies në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit. Vëmendje të veçantë duhet kushtruar menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratave publikeduke ngritur nivelin e përgjegjësisë së zyrtarëve publik për mënyrën e shpenzimit të parasë publike.

4. Sa i përket procesit të të emërimit dhe përzgjedhjes të anëtarëve të bordeve kërkohet të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për Ndërmarrje Publike me qëllim të rritjes së transparencës dhe mbikëqyrjes së procesit dhe eliminimit të politizimit të Bordeve nga përzgjedhja e anëtarëve joprofesional, duke i dhënë mundësinë profesionistëve të fushës dhe të paanshëm nga ngjyrimet partiake.