PËRMBLEDHJE NGA KONFERENCA “A KA ARDHUR KOHA PËR LIGJIN PËR LOBIM?”

Tryeza 14.12.2023

Në kuadër të aktiviteteve të kampanjës “Zero Korrupsion”, me datë 5 dhjetor 2023, Instituti Demokratik i Kosovës organizoi konferencën “A ka ardhur koha për ligjin për lobim?”. Në këtë tryezë morën pjesë deputetë nga grupet parlamentare (GP) të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të organizatave vendore të shoqërisë civile, mediave dhe përfaqësive diplomatike në Kosovë.

Në fjalimin hyrës të konferencës, Plator Avdiu – Menaxher i projektit (KDI) – theksoi se vendosja e rregullave të qarta për lobim është hap i rëndësishëm në forcimin e transparencës dhe kornizës ligjore për luftimin e korrupsionit. KDI mendon se vendosja e një kornize ligjore është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë moderne demokratike.

Në vazhdim, Jarmo Helppikangas – Shef për sundimin e ligjit dhe seksionin ligjor, Zyra e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë – pas falënderimit për KDI-në dhe Transparency International për atë që ai cilësoi si një diskurs jetik politik, theksoi se lobimi është një praktikë e zakonshme në sistemet demokratike dhe luan një rol vendimtar në formësimin e politikave dhe vendimeve. Tutje, ai shtoi se është thelbësore që institucionet, përfshirë BE-në, të jenë të hapura, transparente dhe të kultivojnë dialogun e rregullt me të gjithë akterët relevant e në veçanti me organizatat e shoqërisë civile. Derisa shumë vende miratojnë vetë-rregullimin, ekziston një nevojë urgjente për rregulla të qarta për të qeverisur aktivitetet e lobimit. Krijimi i një kodi të sjelljes, siguron legjitimitet dhe transparencë, duke e bërë atë një mjet të paçmuar për çdo vend që angazhohet me BE-në. Njëherit ai potencoi se personalisht beson se ky është momenti i duhur për të filluar që të shohim se si të rregullohet kjo në Kosovë, derisa siguroj të pranishmit gatishmërinë për mbështetje dhe ekspertizë teknike nga ana e BE-së përgjatë këtij procesi.

Deputetja Mimoza Lila-Kusari – Shefe e GP të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – theksoj se përcaktimi i normave strikte që duhet të ketë ose nënkuptoj Ligji për lobim është esencial. Sipas znj. Kusari-Lila, Kosova ka një hendek të konsiderueshëm në fushën e llogaridhënies. Kuvendi i Kosovës ende nuk ka të miratuar Kodin e etikës, andaj kjo është një sfidë shtesë në raport me mendimin se do të mund të diskutonim për zyrtarizmin e një procesi, në të cilin përfshihen grupet e interesit. Ajo shtoi se LVV, si grupi më i madh parlamentar, janë të mendimit se është një proces tejet i ndërlikuar që i komplikon edhe më shumë fushë veprimtaritë aktuale.

Megjithatë, lidhur me këtë temë, deputetja Blerta Deliu-Kodra – deputete nga GP i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) – tha se PDK mendojnë se kjo është një iniciativë shumë e rëndësishme, ndonëse nuk është e lehtë që të fillohet me të. Ajo përmendi rastin e Maqedonisë së Veriut ku pavarësisht se ata tash e një kohë e kanë aprovuar Ligjin për lobim nuk është se ka qenë shumë funksional. Ajo, tutje shtoi se duhet të konsultohen praktikat më të mira të shteteve, të cilat e kanë një ligj të tillë të miratuar në parlamentet e tyre përkatëse. Marrja e praktikave të mira do ta kishte sjellë Kosovën në një pozicion të mirë sa i përket miratimit të këtij ligji dhe do të përforconte agjendën legjislative të Kuvendit duke i dhënë peshë lobimit. Ajo potencoi se shumë shtete të BE-së e kanë të rregulluar çështjen e lobimit me rregullore të brendshme dhe se këto zhvillime do të ishin në vazhdën e promovimit të një Kuvendi të hapur, transparent dhe llogaridhënës, përderisa sfida kryesore për Kosovën vazhdon të mbetet korrupsioni.

Deputetja Time Kadrijaj- deputete nga GP i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – theksoi se duhet të kemi një ligj, i cili është në harmoni me kushtet, rrethanat dhe modalitetin e Kosovës. Ajo tutje shtoi se AAK mbështet nismën që të kemi ligjin për lobim, por që nuk i kanë numrat për ta shtyrë përpara. Ajo gjithashtu shtoi se si AAK do të jenë të gatshëm të japin kontributin e tyre në këtë drejtim por që Kuvendi do të ketë nevojë për ekspertizë, si dhe për një konsensus politik që ky ligj të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Raphaël Kergueno, përfaqësues i Transparency International BE, njohës dhe njëherit ekspert i çështjes – tha se Ligji për Lobim bazohet në praktikat e BE-së dhe inkurajoi Kosovën që ta adaptojë dhe të nisë zbatimin. Ai tutje shtoi se kjo është një tryezë dhe nismë e rëndësishme sepse BE-ja i mirëpret këto nisma. Lobimi është një aktivitet i zakonshëm për sistemet demokratike, aty ku

populli merr pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ky ligj bazohet në nenin e 11-të të Marrëveshjes së Evropës, e i cili specifikon se duhet të jipen mundësi dhe masa që të njoftohen dhe të shkëmbehen publikisht të gjitha fushat e BE-së, së bashku me ekspertizat e saj. Ndër të tjera ai ka shtuar se institucionet duhet të kenë dialog të hapur dhe transparent si dhe duhet të kenë rregullore dhe rregulla të qarta dhe të mos ndikohen në aktivitete të tjera. Njëherit ai theksoj se është krijuar një perceptim që lobimi është negativ, por që nëse shfrytëzohen të gjitha rrugët ligjore ky proces është tejet i rëndësishëm për një shtet, derisa grupet e lobimit duhet që të jenë transparente për popullin në mënyrë që të dihet se ku po shkojnë paratë e tyre. Lobimi si aktivitet është ligjor dhe duhet bërë sa më shumë dhe të praktikohet si i tillë, sepse vetëm kështu Kosova mund të ketë ndikimin e saj në BE.

#ZeroKorrupsion

#ProgresiQëNaDuhet