Përfaqësuesit e OPIC-ut takuan anëtarë të kuvendeve komunale dhe gazetarë

01.01.2011

Prizren, 19 mars 2010 ? Implementimi i projektit të monitorimit të Kuvendeve Komunale dhe mundësitë e avancimit të punës së Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ishin temat e diskutimit në takimin ndërmjet përfaqësuesve të OPIC-ut, anëtarëve të kuvendeve komunale dhe gazetarëve. Në këtë takim është diskutuar për mundësinë e avancimit të punës në planet afatgjata në bashkëpunim më qytetarët dhe zyrtarët që i afekton projekti që implementohet momentalisht nga KDI dhe mbështetur nga Olof Palme Centre.
Qëllimi i takimit ishte që anëtarët e kuvendeve të komunave, të diskutojnë për përfitimet që kanë pasur gjatë implementimit të projektit, apo edhe sugjerimet e mundshme për ndryshime në të ardhmen me qëllim që përfitimi i qytetarëve të jetë më i madh. Ndarja e eksperiencave pozitive, por edhe dobësitë që ka pasur KDI-ja gjatë implementimit të projekteve me qëllim të përmirësimit të punës në të ardhmen.

Puna e deritanishme e KDI-së në monitorimin e Kuvendeve të Komunave të Regjionit të Prizrenit nga ana e disa anëtarëve të këtyre institucioneve është vlerësuar tejet e mirë dhe shumë e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë në nivel lokal. Po ashtu është vlerësuar edhe ndikimi që ka publikimi i Fletënotimit mbi anëtarët e kuvendeve të komunave duke bërë që të angazhohen më tepër në diskutime për çështjet që janë me interes për qytetarin. E metë e publikimit të Fletënotimit sipas tyre ishin kriteret e vlerësimit duke aluduar në atë se anëtarët vlerësohen më tepër për diskutime se sa në kualitetin e atij diskutimi.

Ndër sugjerimet e pjesëmarrësve në takim ishin: ngritja e kapaciteteve të KDI-së që të jetë edhe më aktive, të del me sondazhe për atë se sa është besimi i qytetarit karshi delegatit që i përfaqëson dhe njëherësh të jenë më të shpeshta këto sondazhe por edhe marrja e rolit trajnues të anëtarëve të subjekteve politike dhe si institut të marrë rolin e një akademie politike.

Ndërsa dhënia e idesë mbi mundësinë e monitorimit të degës së ekzekutivit, anëtarët e kuvendeve të komunave kanë sugjeruar që të punohet paralelisht në monitorim d.m.th edhe monitorim të legjislativit edhe të ekzekutivit dhe kanë përshëndetur në iniciativën e monitorimit të ekzekutivit që të gjithë anëtarët prezentë.

Edhe gazetarët në këtë takim kanë vlerësuar dukshëm punën e KDI-së si një mundësi më e madhe për informim të qytetarit dhe zhvillim të transparencës komunale, zhvillimin e demokracisë dhe rritjen e mirëqenies sociale në përgjithësi, por edhe të shfrytëzimit të burimeve të KDI-së nga vetë gazetarët.

Ndër rekomandimet e thëna nga ana e gazetarëve për rritjen e efikasitetit të punës së KDI-së në bashkëpunim më gazetarët ishin: të jetë më shpesh prezentë në media elektronike, të këtë reagime më të shpeshta në shkeljet eventuale të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, të organizojë më tepër TV dhe Radio debate, si dhe tryeza diskutimi me qëllim të trajtimit të çështjeve që janë me interes për qytetarin.