Përfaqësimi i qytetarëve në kuvendet e komunave të Regjionit të Prizrenit

01.01.2011

11 shkurt 2010. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në kuadër të projektit ?Pjesëmarrja e qytetarëve dhe principet për një qeverisje të mirë?, ka monitoruar punën e kuvendeve komunale të Regjionit të Prizrenit gjatë mandatit të kaluar të këtyre institucioneve, përkatësisht gjatë periudhës 2007 ? 2009.

Në këtë kuadër KDI ka hartuar edhe këtë publikim me temë ?Përfaqësimi i qytetarëve në kuvendet e komunave të Regjionit të Prizrenit? i cili ka për qëllim të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme për zhvillimet politike në komunat e Regjionit të Prizrenit dhe të shërbejë si një udhërrëfyes për qytetarët e këtij regjioni.

Në këtë publikim janë të përfshirë edhe të dhëna mbi përfaqësimin e qytetarëve në kuvendet komunale të Regjionit të Prizrenit në mandatin e kaluar (2007-2009) dhe në mandatin aktual të dalë nga Zgjedhjet 2009, ndryshimet në infrastrukturën ligjore në funksionimin e institucioneve të vetëqeverisjes lokale, ndryshimet në degën ekzekutive të këtyre komunave, sfidat e përfaqësimit të qytetarëve në institucionet lokale të këtyre komunave dhe rekomandimet e KDI-së në lidhje me këto çështje.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve mund të konsiderohet edhe mos përfaqësimi pranë kuvendeve të komunave të disa kandidatëve të cilët në mandatin e kaluar kanë qenë në pozitë të kryesuesit të këtyre institucioneve, siç është rasti në Suharekë, Rahovec dhe Malishevë .

Në këtë publikim po ashtu është paraqitur performanca e anëtarëve të kuvendeve të komunave të Regjionit të Prizrenit gjatë mandatit të kaluar dhe është paraqitur grafikisht për secilën komunë numri i përfaqësuesve të subjekteve politike në kuvendet e komunave të zgjedhjet 2007 dhe 2009.

Ndërkohë që në tabelën e mësipërme është paraqitur numri i përgjithshëm i anëtarëve të përfaqësuar në pesë kuvende të komunave të Regjionit të Prizrenit (Prizren, Suharekë, Rahovec, Malishevë dhe Dragash) sipas subjekteve politike nga totali i tyre prej 165 në Zgjedhjet 2007 dhe 2009.
Sipas kësaj, megjithëse kandidatët e PDK-së për kryetarë komune kanë fituar në katër nga pesë komunat e Regjionit të Prizrenit, ky subjekt politik ka 3 anëtarë më pak në krahasim me Zgjedhjet 2007.

LDK nga 52 anëtarë sa kishte fituar në Zgjedhjet 2007, në Zgjedhjet 2009 ka fituar dy vende më pak duke arritur në shifrën prej 50 anëtarësh në kuvendet e komunave të Regjionit të Prizrenit. Krahas kësaj kandidati i LDK-së ka humbur edhe në garën për postin e Kryetarit të Suharekës në këto zgjedhje.

Ndërkohë rritjen më të madhe në komunat e Regjionit të Prizrenit në Zgjedhjet 2009 e ka shënuar AAK e cila krahas fitores së shënuar nga kandidati për Kryetar Komune në Suharekë ka arritur që të rrisë edhe numrin e anëtarëve nga 12, sa kishte në Zgjedhjet 2007, në 23 anëtarë.

Derisa në zgjedhjet 2007 gjithsej 12 subjekte politike ishin të përfaqësuara në kuvendet e komunave të Regjionit të Prizrenit, në Zgjedhjet 2009 numri i subjekteve që arritën të kenë përfaqësues të tyre në këto institucione u rrit në 14.

Shkarkoni publikimin këtu