Përfaqësimi gjinor në procesin zgjedhor; diskriminues dhe anti-demokratik

02.08.2013

Një shoqëri që synon të veproj në kuadër të parimeve demokratike, një shoqëri që synon të ketë qeverisje të mirë dhe sistem elektoral të drejtë e të lirë, nuk ndërtohet si e tillë pa përfshirje të plotë e të denjë të të dy gjinive. Prandaj, subjektet politike duhet t’i kushtojnë vëmendje të posaqme dimensionit gjinor në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Tanimë është dëshmuar që proceset zgjedhore të viteve të kaluara janë shoqëruar me diskriminim në kontekstin gjinor, sikurse prania e theksuar e votimit familjar, përqindja tejet e ulët e grave si komisionere apo anëtare të Komisioneve Komunale Zgjedhore, prania e pakët e vëzhgueseve zgjedhore si dhe pjesëmarrje e vogel e grave në votim. Një gjendje e tillë jo vetëm që tregon shumë për zhvillimin dhe vetëdijesimin tejet gradual të shoqërisë sonë për vlerat demokratike, por është edhe indikator evident dhe i rëndësishëm se partitë politike dhe Komisionit Qendror Zgjedhot (KQZ) nuk duket se i kanë kushtuar deri më tani rëndësinë e duhur bilancit gjinor gjatë organizimit dhe implementimit të proceseve zgjedhore.
Fakti që një grua vjen e shoqëruar në vendvotim nga bashkëshorti i saj, djali, vëllau apo ndonjë anëtarë tjetër i familjes i cili e dirigjon apo përmes mbikëqyrjes sigurohet se kujt ajo grua duhet dhënë votën. Ky fenomen është i njohur si “votim familjar”. Edhe pse përvojat vëzhguese në zgjedhjet e viteve të kaluara tregojnë që ky fenomen është identifikuar lehtë nga vëzhguesit zgjedhor, nuk është bërë asgjë për t’u kundërshtuar nga komisionerët në vendvotim. Në një gjendje të tillë me abuzim të mekanizmave ligjor, nuk është lënë të kuptohet që votimi familjar është i kundërligjshëm dhe si i tillë duhet të pengohet në vendvotim. Në këtë mënyrë, përveq manipulimit të votave nga persona të caktuar, është penguar edhe e drejta themelore e siguruar me ligj e një qytetareje.
Kjo perspektivë limituese është edhe më shumë dekurajuese kur marrim parasysh se e njëjta gjendje shihet edhe në institucionin shtetëror përgjegjës për menaxhimin dhe organizimin e zgjedhjeve, që është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Edhe pse ky institucion në tre procese zgjedhore 2009-2010-2013 udhëhiqet nga një grua e emëruar nga Presidenti, në përbërjen e saj nuk ka asnjë grua. Vet partitë politike që delegojnë përfaqësues në këtë institucion, asnjëherë nuk kanë deleguar asnjë grua, përfshirë edhe dy subjektet e mëdha që ndonjëherë janë përfaqësuar edhe me nga dy anëtarë.
KQZ është në fazën finale të emërtimit të anëtarëve të KKZ-ve. Nga 280 anëtarë të emëruar deri më tani, 90% janë meshkuj dhe vetëm 10% femra. Vetëm 4 komuna kanë kryesuese në KKZ: Prishtina, Fushë Kosova, Shtimja, dhe Zubin Potoku. Komunat tjera nuk kanë asnjë anëtare femër, përfshirë komunat e mëdha sikurse Prizreni, Gjilani e Gjakova. Përbërje e ngjashme vërrehet edhe në Këshilla të Vendvotimeve (KVV). Një raport i Demokracisë në Veprim (DnV) për zgjedhjet komunale 2009 tregon që përqindja më e lartë e grave si anëtarë të KVV-ve ka qenë 38% në komunën e Prishtinës, ndërkaq ajo më e ulëta vetëm 3% në komunën e Dragashit. Raporti i njëjtë thekson që situata ka qenë më e mirë në zgjedhjet komunale dhe qëndrore të vitit 2007, ku numri i grave anëtare në KVV ka qenë për 5% më i lartë. 

Këto argumente mjaftojnë për të përfunduar se pjesëmarrja e gruas në procesin zgjedhor është e ulët dhe dekurajuese. Pengesa dominuese argumentohet të jetë vet mentaliteti ynë patriarkal i cili insiston të përcaktoj se cilat ambiente dhe cilat angazhime u përshtaten më së miri gjinive të caktuara. Sipas këtij mentaliteti, angazhimi politik është atributi kryesor që i dhurohet gjinisë mashkullore. Si i tillë, edhe roli i meshkujve në procesin zgjedhor në çfarëdo niveli pritet të dominoj. Duke qenë se ky mentalitet insiston të ngul rrënjë sidomos në zona rurale, gratë do të vazhdojnë të ndjehen të privuara të jenë pjesë e një procesi zgjedhor që udhëhiqet nga burrat.
Por si mund të kërkojmë mentalitet demokratik nga qytetarët kur vet demokratizimi brenda partive politike mungon? Vet gratë brenda forumeve vendimmarrëse të subjekteve politike kanë pohuar se nuk ka përfaqësim të mjaftueshëm të gruas brenda subjektit të tyre politik, e sidomos përpjekje serioze për t’a fuqizuar rolin e saj. Pa fuqi brenda partisë, një grua nuk do të mund të ndikoj në strukturat dhe mekanizmat e tjera shtetërore. 
Mos-përfshirja e grave në proceset zgjedhore do të ndikoj në pjesëmarrjen politike të grave në procese të vendimmarrjes. Kjo do të vazhdojë të thyej vullnetin e një gruaje të merr vendimin të kandidojë. Në zgjedhjet lokale 2009 kemi pasur vetëm dy kandidate femra që kanë kandiduar për postin e kryetarit të komunës, ndërsa tani në vitin 2013, vetëm Donika Kada Bujupi njihet si kandidate e mundshme grua. 
Si pasojë e gjithë kësaj ngecjeje që duket se ka tendencë për të shkaktuar vetëm regres, duhet të avokohet fuqishëm për t’i eliminuar format e diskriminimit kundër gruas në mënyrë që të sigurohet de-jure dhe de-facto se përfshirja e gruas në procese elektorale garantohet në mënyrë efektive duke insistuar për prani më të madhe të grave në këshilla të vendvotimeve dhe në vëzhgim zgjedhor. E kush më mirë të jetë pjesë e përpjekjeve avokuese sesa gratë dhe burrat e pushtetshëm që e kanë autoritetin dhe vullnetin për të ndikuar në vendimmarrje duke identifikuar politika që ndikojnë në zbërthimin dhe zgjidhjen e kësaj problematike, si dhe duke ripërtërirë vëmendjen dhe përkrahjen për përfshirjen e plotë të grave në vendimmarrje. Pa balanc gjinor në procesin zgjedhor nuk mund të zhvillojmë demokraci gjithëpërfshirëse; nuk ka demokraci me një gjini.

Autorja është menaxhere e projektit “Rritja e pjesëmarrjes së gruas në procesin zgjedhor” në Kosova Democratic Institute (KDI).

Opinion i botuar në Koha Ditore me 02 gusht 2013