Partitë politike, Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës nuk duhet që shtetin e Kosovës ta dërgojnë drejtë izolimit, në arrati nga liria dhe vlerat demokratike, drejtë një shteti të vetëmjaftueshëm. Nuk na duhet Parlament, e as shtet i vetëmjaftueshëm, sepse e kishim të tillë nga të 90-tat e deri më 2008.
Nëse shteti dhe sovraniteti janë konstruksion i lirisë, atëherë liria është më e madhe dhe me e rëndësishme se partitë, komandantët dhe vetë UÇK-ja. Nuk është ndonjë zbulim i ujit të nxehtë, është logjike e thjeshtë dhe e provuar sepse të gjitha këto e kanë gjenezën në shërbim të formimit të shtetit dhe lirisë. UÇK-ja nuk ishte qëllim në vetvete.
UÇK-në duhet ta mbrojë shteti, sepse ajo bëri historinë e këtij shteti dhe shteti duhet ta mbrojë historinë e UÇK-së. Por as Shteti, as UÇK-ja e as rrëfimet personale mbi jetën dhe të drejtën për të jetuar, nuk mund të jenë peng i individëve. Janë individët të cilët supozohet ose dyshohet se kanë mundur të kenë bërë veprime kriminale. Në asnjërin rast nuk dyshohet e as nuk supozohet as për UÇK-në e as për shtetin e Kosovës.
Po të ishte e kundërta atëherë nga ky epitet, njollë apo re e zezë siq po quhet nga politikanët tanë, nuk do të mundë të liroheshin as superfuqitë më të mëdha politike e ushtarake, të cilat u renditen krahas përkrahjes së UÇK-së dhe vazhdojnë të jenë aleatë të ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Është befasuese vota e deputetëve në parlament, sepse në rrethana krejt tjera kur dhe ishin në rrezik jo vetëm individët, por ishim të kërcënuar si popull për tu shfarosur, nga masakrat e gjenocidi që ushtrohej mbi ne. Atëherë në ato rrethana arritëm të marrim vendime jo të favorshme të momentit, por strategjike dhe të favorshme për të ardhmen e vendit.
Edhe tani kur ende jemi në ndërtim të shtetit, e së paku nuk kërcënohemi nga ndonjë gjenocid apo ndëshkim për shtetin, pse duhet të frikësohemi edhe të mos kemi veprim partneriteti e strategjik në favor të vendit. Kështu do duhej ta shohin të zgjedhurit tanë. Askush nuk duhet të jetë mbi shtetin.
Tërheqja e paraleles me serbët që kanë bërë krime dhe janë apo s`janë dënuar është analogji e paqëndrueshme. Kjo nuk ishte krahasuese as në vitet e ‘98-ta. Serbia as atëherë nuk ishte e krahasueshme me ne, dhe as ne nuk ishim të krahasueshëm me Serbinë. Në të kundërtën nuk do të kishim një ndërhyrje të NATO-s.
Prandaj krejt irelevante është sjellja e Serbisë konform krimeve të luftës, në raport me sjelljen e Kosovës dhe demonstrimin e përgjegjësisë shtetërore që të përballemi me krimet e supozuara që kanë mundur të ndodhin në luftë nga individ të caktuar. Jo vetëm që është irelevante për ne, por dhe po të shtyheshim drejtë një krahasimi të tillë, ne do duhej të rezistonim. E jo ne me vullnetin tonë duke përmendur fëmijët e masakruar, gjenocidin e shtetit Serbë të tentojmë të ndërtojmë pika krahasuese.
Së paku sa di unë, ne as nuk kemi masakruar fëmijë e as nuk kemi bërë gjenocid, dhe pse duhet të tentojmë me çdo kusht të krahasohemi se kush ka bërë më shumë krime e gjenocid e kush ka dënuar më pak a më shumë kriminel. Ne duhet të kemi alternativa dhe strategji për të kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi nga Serbia, por asesi përmes krahasimit.
Madje, as ndonjë trutharë nuk do ta imagjinonte se një ditë, vetë ne do ta krahasojmë shtetin tonë me Serbinë dhe ta vendosim si pikë krahasuese përballë aleatëve dhe botës demokratike. Sot, më së paku duhet të kemi nevojë për teatër dhe dëshirë për lavdi e duartrokitje para masave. Ne kemi nevojë për politika që garantojnë mirëqenie, liri dhe sundim të ligjit. Nuk kemi nevojë për patetizëm impulsiv.
III. S`na duhet Parlament, e as shtet i vetëmjaftueshëm
Partitë politike, Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës nuk duhet që shtetin e Kosovës ta dërgojnē drejtë izolimit, në arrati nga liria dhe vlerat demokratike, drejtë një shteti të vetëmjaftueshëm. Nuk na duhet një Parlament, e as një Shtet i vetëmjaftueshëm, sepse e kishim të tillë nga të nëntëdhjetat e deri tek dymijë e teta.
Deri tani nuk kemi arritur të dëshmojmë se mund të kemi drejtësi, hetuesi dhe gjyqësor me integritet të fuqishëm dhe të vullnetshëm për t`u përballë me të gjitha dyshimet dhe llojet e krimeve dhe ato gjatë luftës. Aspiratat e institucioneve edhe qytetarëve, së paku aspiratat e qytetarëve janë të orientuara drejtë një shteti demokratik i cili garanton sundimin e ligjit edhe është mjaftueshëm i fuqishëm te nxjerrë para drejtësisë secilin nga ne, që mund të jemi potencialisht të dyshuar për krime.
Bashkëveprimi me shtetet mike, nuk është servilizëm, as etje për nënshtrim, nuk jemi shteti i vetmi e as i pari që është përkrahur dhe asistuar nga aleatët dhe partnerët. Nga po të njëjtit aleatë e partnerë, ne u ndihmuam në luftë, u ndihmuam në shpalljen e shtetit, pse nuk duhet të ndihmohemi dhe në garantimin e shtetit të së drejtës.
Nevoja e themelimit të gjykatës speciale ka ardhur si tejkalim i situatave të cilat kanë dëshmuar paaftësinë tonë dhe nevojën që të asistohemi dhe të ndihmohemi në funksionalitetin e shtetit dhe garantimin e lirisë.