Nis raundi i dytë i diskutimeve publike mes qytetarëve dhe deputetëve, i pari mbahet në Gjakovë

Takime 20.01.2020

KDI ka nisur raundin e dytë të diskutimeve publike mes qytetarëve dhe deputetëve të legjislaturës së VII të Kuvendit të Kosovës, së bashku me organizatat partnere në 11 komuna të vendit. Qëllimi i këtyre debateve është zhvillimi i bashkëbisedimit dhe parashtrimi i kërkesave dhe rekomandimeve të qytetarëve për çështje që bien në domenin e nivelit qendror, duke synuar rritjen e transparencës dhe llogaridhënien e Kuvendit të Kosovës.

Në Gjakovë është mbajtur takimi i parë i këtij lloji të bashkëorganizuar me Rrjetin Qeliza në të cilin përballë qytetarëve ishin deputetët: Mimoza Kusari-Lila (LVV), Agon Batusha (LVV), Pal Lekaj (AAK),Teuta Haxhiu (AAK).

Temat kryesore të diskutimit lidheshin me politikat rinore me fokus qendrën rinore në Gjakovë, rritjen e buxhetit për departamentin e rinisë, pagesat e larta për tatimin në pronë, çështjen e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe plotësim – ndryshimi i ligjit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, rritja e buxhetit për strehimoret e viktimave të dhunës në familje, rregullimi i çështjes së pensionimit të parakohshëm të mësimdhënësve, krijimi i Këshillave pedagogjik -psikologjik nëpër shkolla etj.