Nëntor 13 – Dhjetor 7
Edhe 20 takime janë zhvilluar mes banorëve të lokaliteteve të ndryshme dhe autoriteteve komunale në 11 komuna të Kosovës në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”, që mbështetet nga ambasada britanike në Prishtinë.
Dhjetëra banorë kanë pasur rastin të paraqesin drejtpërdrejtë kërkesat e tyre lidhur me rregullimin e çështjeve që prekin përditshmërinë e tyre e që bien në kompetencat e nivelit lokal. Këta të fundit, përveç sqarimeve kanë treguar gatishmëri në ofrimin e zgjidhjeve reale duke u zotuar se do të përfshijnë në planifikimet buxhetore për vitin që vjen, një numër të madh të kërkesave që i kanë grumbulluar në terren.
Zgatar, Dragash
Uji i pijes, mungesa e trotuareve në tërë fshatin, sinjalistika, investimet në stadiumin e shkollës bashkë me oazën përcjellëse sikurse mundësisë e një linje të transportit e cila do të lidhte pjesën e Opojës me Dragashin dhe ishin ndër kërkesat e banorëve të fshatit Zgatar të Dragashit që u paraqitën gjatë takimit me përfaqësuesit komunal. Nga zyrtarët komunalë prezent, u dhanë sqarime dhe informata shtesë për buxhetin e paraparë për vitin 2019 për këtë fshat sikurse edhe zotim se kërkesat në fjalë do të ju adresohen kryetarit dhe se do të bëhen përpjekje që kërkesat e banorëve të gjejnë zbatim gjatë mandatit.
Vranishtë, Dragash
Për banorët e Vranishtës së Dragashit, prioritare mbeten kërkesat për ujë të pijes, subvencionimi me mjete dhe infrastrukturë për blegtorët, bletarët, infrastruktura e hapësirës së krojeve të fshatit (Shatërvanit), etj. Këto i bënë të dituara në takimin që patën me përfaqësues të komunës nën organizimin e KDI-së. Zyrtarët komunal, u dhanë sqarime dhe informata shtesë për buxhetin e paraparë për vitin 2019 për këtë fshat sikurse edhe zotimin se kërkesat në fjalë do të ju adresohen kryetarit dhe se do të bëhet përpjekje që të gjejnë zbatim.
Mamushë
Banorët e Mamushës, kërkojnë adresimin e disa problemeve me të cilat përballen e që lidhen me ujin e pijes, kanalizimin në disa prej lagjeve, mungesën e çerdhes publike të Komunës, mungesë e gjinekologut, riaktivizimi i Këshillimores për Nëna dhe Fëmijë në kuadër të QKMF, stomatologu në QKMF, mungesën e bibliotekës në Komunë, mungesë e stacioneve të pritjes për udhëtarë (kabinave), mungesa e ndriçimit publik në lagjen “Asker”, etj.
Këto i bënë të ditura në takimin që organizoi KDI, mes banorëve dhe përfaqësuesve komunal të cilët u dhanë sqarime dhe informata shtesë për buxhetin e paraparë për vitin 2019 sikurse edhe zotimin se kërkesat në fjalë do të ju adresohen kryetarit të gjitha dhe se do të bëhet përpjekje që të zbatohen.
Tërstenë, Mitrovicë
Edhe banorët e fshatit Tërstenë të Mitrovicës shpalosen kërkesat dhe shqetësimet e tyre karshi zyrtarëve komunal. Shqetësuese për këta banorë mbetet gjendja e keqe e shkollës në të cilën vijojnë mësimin vetëm 4 nxënës, pastaj problemet me infrastrukturën rrugore janë të dukshme dhe nevoja për intervenim në disa pjesë është emergjente, kyçja e fshatit në rrjetin e ujësjellësit si dhe subvencionet për bujqit dhe fermerët e fshatit. Drejtorët komunal që ishin pjesë e takimit me këta banorë nën organizimin e KDI, u shprehën të gatshëm të kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve duke shqyrtuar çdo kërkesë të tyre dhe duke premtuar në realizimin e disa nga prioriteteve të paraqitura nga banorët e Tërstenës.
Dardhishtë, Obiliq
Në takimin e radhës të organizuar nga KDI në fshatin Dardhishtë të Obiliqit, banorët janë ankuar për numër të lartë të të papunëve në këtë fshat. Ndotja e ajrit si dhe mungesa e hapësirave gjelbëruese janë gjithashtu shqetësime të këtyre banorëve duke cilësuar fshatin e tyre si një deponi të KEK-ut por duke mos e lënë anash edhe rregullimin e infrastrukturën në Dardhishtë. Nga zyrtarët komunal të pranishëm në takim u tha që në vitin 2019 do të përfundoj 90% të infrastrukturës rrugore, të rrjetit të kanalizimit dhe të ndriçimit publik. Po në këtë vit pritet që Dardhishtës t’i shtohen edhe 5 parqe duke kontribuar sado pak në përmirësimin e ambientit në këtë fshat.
Kamenicë
KDI organizoi takim mes një grupi taksistësh dhe zyrtarëve komunal në Kamenicë. Kjo për shkak të një problemi që ata po e konsiderojnë jo të drejtë, e që ka të bëj me moslejimin e transportit të udhëtarëve nga Gjilani në Kamenicë. Zyrtarët komunal theksuan se do ta diskutojnë si çështje, dhe do të analizojnë mundësitë se si mund të arrihet një zgjidhje.
Vasilevë, Drenas
Mungesa e ujit, derdhja e kanalizimit në tokat bujqësore, gjendja e rëndë sociale e dy familjeve të cilat kanë nevojë për ndërtimin e shtëpive, rrjeti i dobët i telefonisë mobile, ishin disa nga shqetësimet që banorët e Vasilevës së Drenasit shfaqën para zyrtarëve komunal, në takimin e organizuar nga KDI, në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve lokale në Kosovë”. Zyrtarët komunal duke folur për shqetësimet e banorëve thanë se do të bëjnë përpjeke që ato të rregullohen, ndërsa theksuan se Vasileva është në projektin e komunës për largimin e derdhjes së kanalizimeve nga fshatrat. Ndërsa, kanë thënë se nga Ministria për Komunitete dhe Kthim kanë marr njoftimin se komuna ka përfituar ndërtimin e 10 shtëpive, por që edhe pse janë bërë mbi 2 muaj më nuk kanë marrë asnjë informacion nga kjo ministri, edhe pse sipas tyre ata kanë kontaktuar.
Shtuticë, Drenas
Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm, rruga e gjatë që bëjnë fëmijët për të shkuar në shkollë, mungesa e ngrohjes në shkollë, nevoja për asfaltimin e rrugëve në lagje, kanë qenë disa nga problemet që kanë shfaqur gratë e fshatit Shtuticë të Drenasit, para autoriteteve komunale në takimin e organizuar nga KDI. Në këtë takim drejtoresha e Administratës dhe ajo e Bujqësisë, prezantuan investimet e bëra dhe planet për vitin 2019. Ato theksuan se në vitin e ardhshëm do të asfaltohet rruga –Verbovc-Shtuticë- Polluzhë. Sa i përket mungesës së ngrohjes në shkolla, ato theksuan se në javën e ardhshme nënshkruhet kontrata me OSHP-në, ku më pas shkollat do të furnizohen më lëndë djegëse (dru). Ndërsa, për mungesën me furnizim më ujë të pijshëm, u pajtuan që gratë e këtij fshati të takohen javën e ardhshme me zyrtarët kompetent të komunës për të marrë informacionet më të sakta.
Sankoc, Drenas
Rreziku nga gjuajta me armë në poligonin i cili gjendet në ambient të hapur dhe jo më larg se 400 metra nga shkolla, mungesa e linjës së autobusëve gjatë ditëve të fundjavës, çmimi i lartë i biletës mujore, rruga prej 3 km që bëjnë nxënësit për në shkollë, ishin prej shqetësimeve kryesore që banorët e fshatin Sankoc, shfaqën para autoriteteve komunale. Për banorët shqetësim ishin edhe punimet jo sipas plani të paraparë që janë bërë gjatë punimeve në kanalizim dhe rrugë. Ndërsa, nga autoritetet komunale u tha se për shqetësimet si ai më poligonin e armëve, transportin për nxënësit dhe linjën e autobusëve, kërkesat e tyre do të adresohen në drejtoritë përkatëse, ndërsa, u premtua se problemet me kanalizimin do të zgjidhen në vitin e ardhshëm, e po ashtu edhe shtrimi i rrjetit të ujësjellësit.
Carallukë, Malishevë
Është mbajtur diskutimi i parë publik mes grave të fshatit Carrallukë, Komuna e Malishevës dhe zyrtares për Barazi Gjinore të Komunës. Për banorët, prioritare mbeten kërkesat që lidhen me ujin e pijes, mungesën e transportit publik që do t’i lidhte fshatrat me qytetin dhe anasjelltas, renovimin e objektit të shkollës së parë “Imer Krasniqi”.
Nga zyrtarja për barazi gjinore u dhanë sqarime dhe informata shtesë për buxhetin e paraparë për vitin 2019 për këtë fshat sikurse edhe zotimin se kërkesat në fjalë do të ju adresohen kryetarit dhe se do të bëjë përpjekje që edhe përmes asambleisteve të i shtyjë çështjet e diskutuara përpara.
Tërpezë, Viti
#KDI organizoi takim në fshatin Trepezë në komunën e Vitisë, mes grave të fshatit zyrtarëve komunal. Problemet kryesore që u shfaqen në këtë takim kanë të bëjnë me qarkullimin e rrallë të transportit publik dhe bufen për shkollën e fshatit. Gratë kërkuan një kuzhinë, që do ua mundësonte njëkohësisht punësimin dhe ofrimin e ushqimit të shëndetshëm fëmijëve.
Viti
KDI organizoi takim mes banorëve të banesës sociale dhe drejtorit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale në Komunën e Vitisë. Këta banorë patën mundësinë që ta adresojnë problemin e tyre, që ka të bëjë me orën e rrymës elektrike, e cila gjatë reshjeve ka kontakt me ujin. Drejtori prezentë tha se do ta ngritë si çështje dhe se do mundohen të gjejnë zgjidhje sa më shpejtë të jetë e mundur.
Viti
Takimi i radhës në komunën e Vitisë u zhvillua mes një grupi të taksistëve dhe zyrtarëve komunal. Në këtë takim taksistët patën mundësi ta adresojnë problemit e tyre, e që ka të bëj me vendparkim. Zyrtarët prezentë cekën se do ta shqyrtojnë si çështje, dhe që mundohen që të i gjejnë zgjidhje problemit të tyre.
Bitinja, Shtërpcë
Në takimin mes banorëve të fshatit Bitinje të Shtërpcës dhe zyrtarëve komunal që organizoi KDI, u diskutua rreth problemeve që këta banorë kanë. Për banorët, problemet infrastrukturore mbeten më shqetësuese, dhe gjithashtu problemet me tubat e ujit dhe sistemit e kanalizimit. Nga zyrtarët komunal u premtua që këto probleme do të adresohen dhe zgjidhen sipas mundësive që kjo komunë ka.
KDI zhvilloi në të njëjtin lokalitet edhe një takim me gra dhe zyrtarë komunal ku u diskutua për sfidat me të cilat ato përballen. Problematika kryesore mbetet për to papunësia.
Një takim tjetër u zhvillua me një grup të studentëve dhe artistëve është mbajtur në Shtërpcë. Në diskutimin që ky grup i të rinjve pati me zyrtarët e komunës së Shtërpcës, ata rikujtuan që përmes artit mund të ndihmoj në zgjidhjen e shumë problemeve të planifikimit urban dhe diskutuan lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në këtë drejtim.
Caglavica, Gracanicë
KDI organizoi takim me banorët e fshatit Çagllavicë të Komunës së Graçanicës si dhe zyrtarët e kësaj komune gjatë të cilit u theksua shembulli i mirë i bashkëpunimit ndërkomunal që këta qytetarë që jetojnë në kufi me Prishtinën japin dhe sa i rëndësishëm dhe i nevojshëm ky bashkëpunim është. Më tej këta banorë theksuan që pjesa më e madhe e problemeve që ata kanë vijnë nga territori i komunës së Prishtinës, sikurse deponitë ilegale dhe ujërat e zeza.
Blac, Dragash
Takim është mbajtur edhe me banorët e fshatit Blaç të Dragashit dhe autoritetet lokale, që për fokus kishte mungesën e pranisë së policëve të shtrirë, mungesës së sinjalistikës e të patrullimeve të policëve në këtë lokalitet, në përgjithësi për sigurinë publike jo vetëm të nxënësve të shkollës por edhe të banorëve në fshat. Nga nënkryetari i komunës që ishte pjesë e këtij takimi, të pranishmit u rekomanduan, që të hartojnë peticion dhe kërkesë dhe të njëjtën ta adresojnë në komunë.
Pastaj ka thënë se do të shikohen të gjitha format për sanimin e rrezikut dhe zgjidhjen e problemit në fjalë.
Dragash
KDI organizoi takim mes banorëve të një ndërtese kolektive në Dragash që po përballen në vazhdimësi me probleme të kanalizimit duke u rrezikuar direkt nga ujërat e zeza dhe zyrtarëve komunal. Në këtë takim u diskutua për këtë problematik me c ‘rast nënkryetari i komunës u premtoi zgjidhje të këtij problemi gjatë vitit të ardhshëm.
Krakoshta, Dragash
Takimi me disa banorë të lagjes “Krokoshta” të Dragashit dhe zyrtarëve komunal nën organizimin e KDI-së, ka trajtuar problematikën e mungesës së ndriçimit publik në këtë hapësirë, e banusheshme me rreth 80 shtëpi. Nga ekzekutivi komunal në krye me kryetarin e komunës, u dhanë sqarime dhe informata për mundësinë e zgjidhjes së problemit. Aty u tha se komuna përmes punëtorëve gjegjës do të dalin dhe verifikojnë gjendjen dhe me një raport konkret nga terreni, do të shikohen mundësitë në vijim të sanimit të problemit përmes linjës buxhetore për vitin 2019.
Dragash
Banorët e qytetit të Dragashit në prezencën e zyrtarëve komunal adresuan, shqetësimin e tyre rreth bllokimit të trotuareve përgjatë tërë rrugës kryesore, nga makinat, shitësit ambulantë dhe të tjerë sikurse edhe mungesën e sinjalistikës në këtë hapësirë për pengim të bllokimit të trotuareve. Nga nënkryetari i komunës dhe drejtori për shërbime publike, të pranishmëve u janë dhënë sqarime dhe gjetjen e një zgjidhjeje për problemin në fjalë, dukë rekomanduar të njëjtit që të paraqiten me kërkesë me shkrim në zyrat e komunës dhe se do të shikohen mundësitë edhe me institucionet tjera (policinë) që të bëjnë zgjidhjen e duhur për banorët e kësaj lagjeje.