#NgaTerreni 6

Takime 14.11.2018

#NgaTerreni 6

29 tetor-10 nëntor 2018

#KDI ka mbajtur edhe 12 takime në dy javët e fundit duke e quar në 60 numrin e takimeve mes banorëve të fshatrave të ndryshme të Kosovës dhe autoriteteve lokale me qëllim të ngritjes së pjesëmarrjes qytetare në proceset vendimmarrëse si dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve karshi qytetarëve.

Në secilin takim qytetarët kanë parashtruar të paktën tri çështje problematike me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre dhe kanë kërkuar nga përfaqësuesit institucional adresim e tyre gjatë vitit pasues. Në shumicën e rasteve përfaqësuesit komunal kanë dhënë zotime për realizim të kërkesave të banorëve.
Këto takime zhvillohen në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”, që mbështetet nga ambasada britanike në Prishtinë

 

Raskovë, Obiliq

#KDI zhvilloi takim në fshatin Raskovë të Komunës së Obiliqit, gjatë së cilit banorët shprehën kërkesat për ndërtimin e një çerdheje për fëmijë. Nga zyrtari komunal prezent u njoftuan që është në plan ndërtimi i një çerdheje në fshatin Milloshevë por që njëherë nuk ka asgjë konkrete pasi që është menduar fillimisht të ndërtohen dy salla të sportit.

Lajthishtë, Obiliq

Në fshatin Lajthishtë të komunës së Obiliqit, në praninë e zyrtarëve komunal, gjatë takimit që organizoi KDI, banorët diskutuan rreth çështjeve me rëndësi për fshatin. Infrastruktura rrugore, rregullimi i rrjetit të kanalizimit, mungesa e ndriçimit publik si dhe vendosja e trotuareve ishin disa nga çështjet që banorët iu dhanë prioritet. Nga zyrtarët komunal prezent u tha që me ligjin e ri për Obiliqin të gjitha këto pritoritete janë të realizueshme dhe se gjatë vitit 2019 do të përfundojnë jo vetëm në Lajthishtë por në tërë fshatrat dhe lagjet e Obiliqit.

Rashan, Mitrovicë

KDI organizoi takim edhe në fshatin Rashan të Mitrovicës me ç ‘rast banorët theksuan se prioritet për ta mbetet transporti i fëmijëve për në shkollën e fshatit si dhe për nxënësit që vijojnë mësimin në shkollat e mesme të Mitrovicës. Kërkesa tjera që u ngritën ishin edhe kyçja e fshatit në rrjetin e ujësjellësit, intervenimi në pjesët e dëmtuara të rrugës si dhe ndërrimi i shtyllave elektrike të dëmtuara që paraqesin rrezik për banorët. Drejtorët prezent në takim u shprehen të gatshëm të kontribuojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve duke thënë se cështjet me pritoritet janë të realizueshme përgjatë vitit 2019.

Burim, Malishevë

Për banorët e fshatit Burim të Malishevës prioritare mbeten kërkesat për rregullimin e trotuareve, kanalizimit, rrugët e pashtruara, ndriçimi publik etj.. Nga drejtori për financa i komunës që ishte prezent në takim, u dhanë sqarime dhe informata shtesë për buxhetin e paraparë për vitin 2019 për këtë fshat sikurse edhe zotimi se do të shtohen përpjekjet që disa prej kërkesave të banorëve t’i  trajtojnë me prioritet në periudhën vijuese.

Koretin, Kamenicë

Problemi i kanalizimit për banorët e fshatit Koretin të Kamenicës, vazhdon të mbetet shqetësimi kryesor. Gjatë takimit që KDI zhvilloi me banorët e këtij lokaliteti dhe autoritetet lokale,  u ngrit si problem edhe  papastërtia e lumit Krivareka dhe mungesa e shenjëzimit të rrugëve të fshatit. Për të gjitha këto kërkesa, zyrtarët komunal premtuan zgjidhje në vitin e ardhshëm.

 

Hodonoc, Kamenicë

Takimi i radhës në komunën e Kamenicës u zhvillua në fshatin Hodonoc, ku qytetarëve ju dha mundësia të adresojnë shqetësimet që ua vështirësojnë përditshmërinë e tyre dhe të dëgjojnë më shumë për planet e komunës nga përgjegjësit. Për këta qytetarë problemet primare janë: çështja e ujësjellësit, rrethoja e shkollës dhe rregullimi i tualeteve të saj si dhe nivelizimi i terrenit në një pjesë të fshatit. Për të gjitha këto probleme zyrtarët komunal premtuan zgjidhje.

Petrit (Petroc), Kamenicë

Qytetarët e fshatit Petrit në komunën e Kamenicës, u mblodhën për një takim me zyrtarët komunal, ku patën mundësinë t’i  prezantojnë kërkesat e tyre kundrejt komunës. Për këta qytetarë problemet kryesore janë:  ujësjellësi dhe mburojat në përroskat nëpër fshat. Shqetësime tjera gjithashtu u cek se janë edhe: ndriçimi tek varrezat e fshatit, E-kioska dhe laptop e printer në shkollën e fshatit. Në këtë diskutim, zyrtarët komunal premtuan se do të mundohen tu ofrojnë  zgjidhje problemeve të ngritura.

Batushë, Graçanicë

Në një takim të përbashkët të të gjitha komuniteteve që jetojnë në fshatin Batushë të Graçanicës, dhe autoriteteve lokale është ngritur nevoja për ofrimin e transportit për nxënësit e komunitetit shqiptar, për shkak se nuk ka shkollë shqipe në këtë fshat dhe nxënësit janë të detyruar t’i ndjekin mësimet në fshatin Dobrevë e Poshtme të komunës së Fushë Kosovës. Shqetësim tjetër për banorët kanë paraqitur edhe deponitë e mbeturinave në hyrje të fshatit dhe në fushat përreth.
Zyrtarët komunal prezentë, kanë theksuar se do të adresojnë këto probleme gjatë vitit që vjen.

 

Mamushë

Për banorët e Mamushës,  prioritare mbeten kërkesat për funksionalizimin e shtëpisë së kulturës, ndërtimin e bibliotekës, sallës së sporteve, të ketë planifikim buxhetor në aktivitete kulturore, artistike e sportive, hapësira gjelbëruese dhe ndriçim  publik. Këto kërkesa ata patën rastin t’i paraqesin gjatë një takimi që patën me drejtorin për financa e komunës, nën organizimin e #KDI. Ai u dha sqarime dhe informata shtesë për buxhetin e paraparë për vitin 2019 dhe zotimin se do të shtojë përpjekjet për inkorporimin e kërkesave dhe prioriteteve në buxhet për vitin 2019 përgjatë rishikimit të saj, nëse do të këtë.

 

Llapushnik, Drenas

Problemet me kanalizim dhe mungesa e tij në disa lagje, mirëmbajtja e mbikalimit, mungesa e trotuareve, ndriçimit ishin disa nga shqetësimet që banorët e fshatit Llapushnik të Drenasit shfaqën para zyrtarëve komunal gjatë një takimi të organizuar nga KDI. Nga ana tjetër zyrtarët e komunës së Drenasit thanë se prioritet për vitin e ardhshëm për këtë fshat është shtrimi i kanalizimit në lagjet ku nuk ka si dhe largimi i derdhjes së kanalizimit afër shkollës. Ata po ashtu thanë se komuna do të kryejë asfaltimin e nënkalimit në këtë fshat në vlerë prej 20 mijë euro, si dhe në vitin e ardhshëm do të rregullohet rruga që lidhë Llapushnikun me fshatin Poterrk, rrugë kjo që i ofron më shumë me qytetin.

Zllakuqan, Klinë

#KDI ka organizuar takim mes grave të bashkësisë lokale të Zllakuqanit të Klinës dhe përfaqësuesve të komunës, ku është diskutuar për problemet që kanë gratë e kësaj bashkësie lokale. Mungesa e ujit, reduktimet e gjata të energjisë elektrike, mungesa e trotuarit në rrugën për në shkollë ishin disa nga problemet që ato shfaqën para organeve komunale. Po ashtu, gratë e pranishme në këtë takim u ankuan për mungesë tregu për veprimtarinë që ato ushtrojnë e që kryesisht janë në blegtori e bujqësi. Nga ana tjetër, zyrtaret nga komuna u premtuan atyre se kërkesat dhe shqetësimet e tyre do të adresohen në drejtoritë përkatëse, dhe inkurajuan gratë që të jenë aktive në ngritjen e zërit për kërkesat e tyre.

Brrut, Dragash

Për banorët e fshatit Brrut të Dragashit, prioritare mbeten kërkesat që lidhen me mungesë të ujit të pijes, trotuareve bashkë me sinjalistikë, ndriçimi publik, investimet në klasën e parashkollorit në fshat etj. Lidhur me këto kërkesa, përfaqësuesit komunal që ishin prezent në një takim të organizuar nga #KDI me banorët e këtij lokaliteti, u dhanë sqarime dhe informata shtesë për buxhetin e paraparë për vitin 2019 për këtë fshat sikurse edhe zotimin se kërkesat në fjalë do t’i transmetohen kryetarit dhe se do të bëhet përpjekje që t’i shtyjnë drejtë realizimit.