#KDI po vazhdon organizimin e takimeve mes qytetarëve dhe autoriteteve lokale nëpër fshatra në 11 komuna të Kosovës, në të cilat diskutohet për çështjet me interes për banorët dhe mundësitë e adresimit të tyre nga institucionet.
Gjatë dy javëve që shkuan u zhvilluan 8 takime të kësaj natyre në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale” që mbështetet nga ambasada britanike në Prishtinë.
#Dragash
Vranishtë: Gjatë takimit mes banorëve të Vranishtës dhe autoriteteve lokale u theksua nevoja për përmirësim të infrastrukturës rrugore, kanalizimit, ujit të pijshëm e objektit shkollor. Lidhur me këtë përfaqësuesit e Komunës dhanë sqarime dhe informata për buxhetin e paraparë për vitin 2019, për këtë fshat sikurse edhe zotimin për realizimin e disa prej kërkesave të lartpërmendura si: uji i pijes dhe rrjeti i kanalizimit në tërë fshatin.
Rapçë: Për banorët e këtij fshati, çështje prioritare për adresim janë furnizimi me ujë të pijshëm, rikonstruimi i objektit të QMF në fshat, mungesa e stafit mjekësorë dhe energjia e dobët elektrike. Këto kërkesa banorët patën rastin tua adresojnë përfaqësuesve komunal nga të cilët morën zotimin për adresimin e disa prej tyre në vitin që vjen.
Pllavë: Edhe takimi me banorët e Pllavës nxori në pah një sërë problemesh me të cilat ballafaqohen ata. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, menaxhimi i ujërave të zeza dhe i mbeturinave, ngrohja në shkollë, hapësirat rekreative janë disa prej çështjeve të cilat banorët e këtij fshati presin që t’i adresoj komuna e Dragashit, në mënyrë që të përmirësohet përditshmëria e tyre në këtë lokalitet.
E nënkryetari i kësaj komune që ishte prezent në takim dha zotimin që do të adresohen disa prej këtyre kërkesave gjatë vitit që vjen.
Kuk: Për banorët e fshatit Kuk, gjithashtu është prioritet qasja në ujësjellës e kanalizim, rregullimi i infrastrukturës rrugore si dhe e objektit shkollor. Këto i bënë të ditura gjatë takimit që patën me autoritetet lokale, përkatësisht me drejtori për financa të komunës, i cili paraqiti gatishmërinë për adresimin e disa prej këtyre çështjeve.
#Graçanicë
Preoce: Në Preoce u mbajt takim mes një grupi të paorganizuar nga komuniteti rom dhe përfaqësuesve të Komunës së Graçanicës. Qytetarët shprehën shqetësimet për problemet që kanë me asistencat sociale, ndërtesat sociale si dhe problemet me infrastrukturë bazike në vendbanimin e tyre. Zyrtarët komunalë të pranishëm u zotuan që do të shqyrtojnë mundësitë për të ofruar zgjidhje për problemet me të cilat përballen këta qytetarë.
#Viti
Skifteraj: Në takimin mes banorëve të fshatit Skifteraj dhe zyrtarëve komunal të Vitisë, u diskutua rreth një granti të cilin fshati e kishe fituar për rregullimin e ujësjellësit, e i cili është lënë në gjysmë. Gjithashtu për këta banorë shqetësuese janë edhe problemet me infrastrukturën rrugore, mungesën e rrethojave në shkollë etj. Ndërkaq, çështjet konkrete për të cilat u pajtuan të gjitha palët për t’u përfshirë në planet komunale ishin ofrimi i një zgjidhjeje për ujësjellësin, mbulimi i gropave, subvencione për shoqatën e grave dhe rrethimi i shkollës fillore “Kenan Halimi”. Të gjitha këto u tha se do merren parasysh në vitin e ardhshëm.
#Drenas
Gllobar: Banorët e fshatit Gllobar në mesin e disa kërkesave që shfaqen para zyrtarëve komunalë, si më emergjente nga ta, ishte rregullimi i pusetës së kanalizimit nga e cila po rrjedhin ujërat e zeza, vendosja e shenjave të komunikacionit nëpër rrugë të fshatit, shtrimi i trotuareve, lirimi i hapësirës së një pjese të lokacionit afër varrezave dhe largimi i deponive inerte. Ndërsa, zyrtarët komunalë për disa nga kërkesat e banorëve u zotuan se do të angazhohen për t’i zgjidhur, siç ishte rasti për puseten e kanalizimit. Sa i përket shqetësimit të deponive interte, drejtoresha e Shërbimeve Publike ka thënë se komuna tashmë ka caktuar një lokacion për mbeturinat internete duke shprehur besimin se gjatë këtij muaji deponitë do të largohen nga fshati. Ndërsa për kërkesat tjera, ata u shprehen se disa prej tyre do të jenë në planë për vitin e ardhshëm.
Nekovc: Në takimin e mbajtur me banorët e Nekovcit, ata para zyrtarëve komunal shprehen pakënaqësitë e tyre lidhur me cilësinë e punimeve që janë bërë gjatë shtrirjes së rrjetit të kanalizimit. Ata thanë se projekti nuk është realizuar sipas planit, ku si pasojë disa familje kanë mbetur pa u kyçur në rrjet, si dhe kompania nuk ka kthyer në gjendjen e mëparshme rrugët ku ka punuar. Zyrtarët komunalë u ankuan se gjatë këtyre punimeve kanë pasur pengesa nga banorët. Banorëve të fshatit nga zyrtarët komunalë u është premtuar se gjatë vitit të ardhshëm do të bëhet pastrimi i rrugës kryesore të fshatit nga shkurret, që ishte njëri nga shqetësimet e banorëve.