Nga tryeza e KDI-së: Momentum i mirë për një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë

Tryeza 18.11.2022

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot tryezën e diskutimit “MOMENTUMI I RI NË RAPORTET KOSOVË – SERBI: Cila është rruga përpara?”.

Në hapjen e tryezës, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, z.Ismet Kryeziu, theksoi se zhvillimet në terren kanë sjellur një momentum të ri në raportet Kosovë-Serbi. Ndërsa, shtoi se informacionet rreth planit Evropian për një marrëveshje po mungojnë, pasi ka mungesë të transparencës nga ana e Qeverisë.

Në anën tjetër, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje znj.Mimoza Kusari-Lila, e ftuar si paneliste në këtë tryezë tha se përvoja në procesin e dialogut me Serbinë na ka mësuar se nuk mund të sillemi njëjtë dhe të presim rezultate të ndryshme, prandaj edhe Qeveria aktuale e ka ndryshuar qasjen ndaj këtij procesi, sepse qasja e përdorur në të kaluarën nuk ka sjellë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Lidhur me planin Franko-Gjerman, ajo sqaroi se ky plan faktikisht duhet të quhet Plan Evropian sepse ai plan ka mbështetje të gjerë të BE-së dhe po ashtu edhe mbështetje amerikane. Sipas saj, ky plan përmban zgjidhjen finale për normalizim të ndarë në dy faza ku faza e parë përfshin të gjitha çështjet që kanë mbetur të hapura por duke mos e pasur brenda njohjen reciproke. Ndërsa faza e dytë, synon njohjen dhe normalizimin e plotë. Kurse, lidhur me tërheqjen e Listës Serbe nga Kuvendi ajo shtoi se ky akt nuk është parimor dhe ndërlidhet me interesa të ngushta të këtij subjekti ndaj individëve në veri si është Millan Radoiqiq.

z.Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED, po ashtu panelist në këtë tryeze, tha se plani për tërheqje të serbëve nga institucionet ka qenë një plan i përpunuar nga Serbia për një kohë të gjatë, por është shfrytëzuar momenti kur Kosova ka krijuar kolizion me SHBA-të për çështjen e targave. Prandaj sipas tij ky vendim duhet të shtyhet për 10 muaj. Ai shtoi se, Serbia ka për qëllim që të krijojë një realitet të veçantë autonom në Veri në kontekstin e negociatave rreth Planit Evropian. Lidhur me planin Franko –Gjerman z.Peci theksoi se ky plan sipas versioneve që po qarkullojnë është i ngjashëm me modelin e dy Gjermanive. Ndërsa, shtoi se  Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin aktual për marrëveshje. Në të njëjtën kohë, Qeveria duhet të ketë një qasje komplementare ndaj qytetarëve serb dhe nevojave të tyre duke bërë dallimin mes  Serbisë, Listës Serbe dhe qytetarëve serb.

Në anën tjetër, z.Miodrag Mili?evi?, Drejtor Ekzekutiv i OJQ AKTIV, tha se aktualisht dialogu për normalizim të marrëdhënieve është vendosur në plan të dytë dhe fokusi i komunitetit ndërkombëtarë është vetëm për të gjetur zgjidhje për krizën në terren.  Ai shtoi, se dialogu dhe debati është e vetmja zgjidhje për të zgjidhur krizën dhe arsyeja pse gjendemi në këtë situatë është kombinim i shumë faktorëve duke përfshirë edhe mungesën e mirëfilltë të komunikimit mes Qeverisë dhe Listës Serbe dhe mungesën e përfshirës së komunitetit serb në dialogun e Brukselit.

Lidhur me çështjen e Asociacionit ai theksoi se themelimi i tij parashihet me Kushtetutën, legjislacionin e Kosovës dhe marrëveshjet e Brukselit, dhe sipas tij është dashur të ketë hapa konkret për hartimin e statutit. Ndërsa, shtoi se nuk ka pasur asnjëherë debat të gjerë dhe të mirëfilltë politik dhe qytetar për mënyrën se si duhet të funksionojë një Asociacion i tillë.

Në vazhdimin e diskutimit, z.Ardian Arifaj , analist politik dhe ish këshilltar i Presidentit, theksoi se ky është një momentum i mirë për Kosovën dhe dialogun meqë ka vëmendje të shtuar amerikane në këtë proces me emërimin e emisarëve me përvojë në gjithë rajonin. Ndërsa, sipas tij Kosova nuk duhet të ngurrojë nga pjesëmarrja në dialog dhe duhet të synojë konsolidimin ndërkombëtarë pasi status quo –ja nuk është në interes të Kosovës. Ai e vlerësoi si pozitiv faktin që Plani Evropian nuk është vetëm gjermano-francez pasi kjo dëshmon që ka një harmonizim të qëndrimeve brenda BE-se por edhe me Uashingtonin.

Në fjalën e tij si panelist në këtë tryezë z.Gazmir Raci, analist politik dhe ish koordinator për Dialogun, tha se Kosova ka përfituar nga marrëveshjet nga dialogu teknik duke marrë kodin e saj telefonik +383 dhe se ka pasur progres pozitiv në lirinë e lëvizjes dhe vendosjen e pikave doganore në pjesën veriore. Por, ai shtoi se Kosova nuk duhet të vazhdojë me dialog teknik por me fokus në arritjen e një marrëveshje finale pasi që përmes dialogut teknik Serbia synon që të rihap marrëveshjet e kaluar siç ka bërë me marrëveshjen për energji dhe për targat. Ai shtoi se, është problematike kërkesa e komunitetit ndërkombëtarë ndaj Kosovës për të zbatuar Asociacionin por për të mos zbatuar vendimin për targa i cili është në bazë të marrëveshjes së Brukselit.  Në këtë drejtim ai theksoi se komuniteti ndërkombëtarë duhet të jetë shumë i vendosur dhe të ketë plan konkret se farë parashihet pas 10 muajve nëse Kosova e shtynë zbatimin e këtij vendimi.

Në pjesën e diskutimit të hapur, panelistët dhe pjesëmarrësit theksuan edhe nevojën për një rol më aktiv të shoqërisë civile në procesin e dialogut dhe se duhet të zhvillohet një debat i hapur me qytetarë lidhur me Planin Evropian. Po ashtu, u theksua që Qeveria duhet të punojë ma shumë në drejtim të informimit dhe integrimit të mirëfilltë të komunitetit serb në pjesën veriore duke u fokusuar në veprime socio-ekonomike. Ndërsa, Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.

Ky diskutim u realizua në kuadër të projektit “Shoqëritë civile në Kosovë dhe Serbi promovojnë një proces pajtimi pjesëmarrës dhe kuptimplotë”, i mbështetur nga Ministria e Jashtme Italiane dhe për Bashkëpunim Ndërkombëtar