sq
Regjistrohu

Nga tryeza e DnV-së kërkohet fillimi i procesit të reformës zgjedhore

Tryeza 21.12.2021

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV)organizoi sot tryezën e diskutimit me temën “Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 dhe ndikim i saj në punën e Kuvendit të Kosovës” në një diskutim të hapur me përfaqësues të subjekteve politike, KQZ-së dhe shoqërisë civile.

Në hapje të këtij diskutimi, Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv i KDI-së si udhëheqëse e koalicionit të OJQ-ve DnV, tha se edhe pse Kosova ka arritur standarde demokratike sa i përket organizimit të zgjedhjeve, ne duhet të fillojmë procesin për reformën zgjedhore. Në kuadër të këtij procesi, duhet të krijohet kodi zgjedhor që përfshinë disa ligje që duhet të adresojnë problematikat e evidentuara në proceset zgjedhore të mbajtura deri tash, e në raportet që po i publikojmë sot janë të përfshira një pjesë e tyre. Kryeziu tha se këto rekomandime do t’i prezantojmë gjatë aktiviteteve që synojmë t’i bëjmë gjatë avokimit për reformën zgjedhore.

DnV dhe KDI prezantuan një raport dhe një analizë të shkurtër që trajtojnë në dy forma të ndryshme tematikat e tryezës. Në prezantimin e raportit “Dy raunde të zgjedhjeve lokale – dy lloje fushatash”, Eugen Cakolli, tha se në formatin e fushatës, dy raundet e zgjedhjeve shpërfaqën qasje të ndryshme nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre. Deri sa në raundin e parë kishte koncentrim më të madh drejt fushatës dixhitale, në raundin e dytë u shënua një rikthim i madh drejt aktiviteteve tradicionale. Me orientimin e fushatës drejt formatit tradicional është risjellë në pah dukuria e abuzimit me resurset publike për qëllime të fushatës. Kjo dukuri ka qenë dukshëm më pranishme në garën e balotazhit, duke u manifestuar përmes pjesëmarrjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar në tubime publike apo ecjeve nëpër sheshe, kryesisht gjatë orarit të punës. Po ashtu, evident ishte edhe përfshirja e ekzekutivit të nivelit qendror në garën lokale përmes ofrimit të mbështetjes për kandidatët e atij subjekti politik, duke ndërlidhur zbatimin e projekteve të caktuara me ofrimin e ndihmës financiare nga Qeveria, që si fenomen ka cenuar parimin e garës së barabartë zgjedhore.

Sa i përket programeve politike, partitë politike u potencua që kanë luajtur një rol në përgatitjen e platformave të kandidatëve të tyre, ndonëse është ruajtur një autonomi e konsiderueshme e kandidatëve dhe degëve respektive në këtë drejtim, për shkak edhe të specifikave të ndryshme të komunave. Vet përmbajtja e programeve apo planeve qeverisëse të kandidatëve ka avancuar ndjeshëm, me kalim tek projektet transformuese, si dhe duke u ofruar hapësirë të konsiderueshme politikave ambientaliste. Sa i përket gjuhës së përdorur nga kandidatët, ndonëse në nivel të përgjithshëm ajo ishte e balancuar, gjatë raundit të dytë, rastet e acarimit të gjuhës dhe ashpërsimit të diskursit mes kandidatëve kanë qenë mjaft të shprehura, sidomos gjatë debateve televizive. Element tjetër i rëndësishëm që dëshmon për pjekurinë e subjekteve politike dhe kandidatëve në garë, është pranimi i menjëhershëm i rezultatit zgjedhor.
Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Cakolli paraqiti rekomandimet konkrete të DnV-së për përmirësimin dhe avancimin e fushatave zgjedhore në Kosovë, duke përfshirë shumë dimensione të saj. Po ashtu, duke qenë se këtë vit Kosova ka përmbyllur me sukses dy procese zgjedhore, u ritheksua se është momentumi i duhur politik për inicimin e procesit të reformës zgjedhore. Reforma zgjedhore duhet të përfshijë rishikimin e një sërë ligjesh, duke përfshirë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjin për Zgjedhjet Lokale, Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike si dhe eventualisht ligjeve tjera që preken nga ndryshimet në legjislacionin zgjedhor. Përveç aspekteve teknike, u potencua që reforma zgjedhore do të duhej të përfshijë edhe disa prej çështjeve politike dhe elementeve kyçe të vet sistemit zgjedhor.

Në kuadër të kësaj tryeze, u prezantua edhe analiza “Ndikimi i zgjedhjeve lokale 2021 në punën e Kuvendit të Kosovës”. Agnesa Haxhiu, gjatë prezantimit të saj, tha se fushata zgjedhore ka ulur dukshëm efikasitetin e punës së legjislativit, për shkak të fokusit që partitë politike parlamentare kanë pasur në këtë proces zgjedhor, ku si garues morën pjesë rreth 15% e përbërjes së kësaj legjislature. Në paaftësi për të balancuar angazhimet e tyre në fushatë me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në Kuvend, deputetët e kanë ndikuar drejtpërdrejt funksionimin e mirëfilltë të Kuvendit, probleme këto që janë vërejtur më së shumti tek mbledhjet e Kryesisë dhe mbajtjes së seancave. Si pasojë, ka pasur ngecje edhe sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative.

Përveç ndikimit në performancën e institucioneve qendrore, në këtë rast të legjislativit, kandidimi i deputetëve në zgjedhjet lokale, dhe pastaj dorëheqja nga mandati i deputetit për një post ekzekutiv në nivel lokal e dobëson edhe përfaqësimin në Kuvend. Prandaj KDI konsideron që është e domosdoshme që në kuadër të procesit të demokratizimit të brendshëm të partive politike në Kosovë, është më se e nevojshme që të rishikohet edhe mënyra se si përzgjidhen kandidatët për zgjedhje në të dyja nivelet. Nominimi i kandidatëve në listat zgjedhore të partive politike, si për nivelin qendror ashtu edhe atë lokal do të duhej të adresohej përmes rregullave ligjore. Duke e përcaktuar paraprakisht formën se si përpilohet lista e kandidatëve në një garë zgjedhore,  në njërën anë qartësohet procesi i kandidimit për ata që kanë synim të jenë pjesë e një liste zgjedhore dhe në anën tjetër iu mundëson partive politike që paraprakisht të krijojnë kuadro për përfaqësim në të dyja nivelet pa e dëmtuar përfaqësimin në njërën apo tjetrën.Duke ditur ndikimin që angazhimi për një post tjetër publik ka në rolin e tij/saj si i/e zgjedhur nga populli, është e nevojshme të vendosen disa norma etike për deputetët që kanë ambicie për funksione të tjera publike, përfshirë opsionin e dorëheqjes nga posti i deputetit që me fillimin e fushatës zgjedhore.

Partitë politike parlamentare gjegjësisht deputetët duhet të kenë parasysh faktin që janë zgjedhur për të përmbushur obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës, nëpërmjet hartimit dhe miratimit të politikave dhe ligjeve që ua përmirësojnë jetën atyre. Kuvendi duhet t’i përmbahet kalendarit të punës edhe në kohë të zgjedhjeve lokale, duke respektuar në radhë të parë Rregulloren e punës dhe kriterin për numrin e mbledhjeve dhe seancave që duhet të mbajtur. Dhe, njëkohësisht, të funksionojë me dinamikë të shtuar konform çështjeve që u shtrohen për trajtim, në mënyrë që të mos zvarriten ato çështje që kërkojnë trajtim nga deputetët dhe të mos pengohet funksionimi i mirëfilltë i Kuvendit.

Përgjithësisht, të gjithë pjesëmarrësit e kësaj tryeze konsideruan se është shumë i rëndësishëm fillimi i reformës zgjedhore dhe viti i ardhshëm do të duhej të ishte koha e duhur që të filloj dhe të përmbyllet suksesshëm ky proces.

Ky diskutim është organizuar me mbështetjen e Olof Palme International Center (OPIC).