Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot konferencën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës?”. Në këtë konferencë të ftuar ishin përfaqësues të partive kryesore politike, në pozitë dhe opozitë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e medias.
Në hapjen e konferencës, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, foli fillimisht për punën e KDI-së në raport me procesin e dialogut dhe mbështetjen e vazhdueshme të ofruar ndaj Kuvendit të Kosovës në mbikëqyrjen sa më efektive të këtij procesi. Ai theksoi nevojën e angazhimit të shoqërisë civile dhe bashkëpunimin sa më të madh të këtij sektori, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, përmes krijimit të platformave të përbashkëta.
Në anën tjetër, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly, në fjalimin e tij hyrës, potencoi rëndësinë e politikës së jashtme brenda sistemit qeverisës të një vendi, posaçërisht në rastin e Kosovës ku politika e jashtme është shumë më e rëndësishme krahasuar me vendet e tjera. Ai vlerësoi se dialogu me Serbinë është pjesë shumë e rëndësishme e politikës së jashtme të Kosovës, e që si i tillë, ky proces ndikon jetën e pothuajse secilit qytetar.
Gjatë kësaj konference u publikua edhe hulumtimi lidhur me ndikimin e procesit të dialogut në planin e jashtëm të Kosovës. Eugen Cakolli, hulumtues dhe autor i këtij punimi, vlerësoi që aktualisht procesi i dialogut ndodhet në status-quo, e cila më së shumti i shkon për shtati Serbisë. Sa i përket rreziqeve që një status-quo e tillë ka në raport me shtetin e Kosovës, ai përmendi rrezikun e shndërrimit të raporteve të Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtar në “marrëdhënie të presionit”, kufizimit të burimeve dhe përkrahjes financiare, pamundësisë së fitimit të njohjeve të reja apo anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, si dhe zhvendosjen e kësaj çështje në fund të prioriteteve të bashkësisë ndërkombëtare. Cakolli kërkoi nga Qeveria, që në bashkërendim me Presidenten dhe Kuvendin e Kosovës, të bëjë një balancë të mirë-arsyetuar mes nevojës për përmbylljen e shpejtë të dialogut dhe prolongimit të saj, në funksion konsolidimit të jashtëm dhe zhvillimit të brendshëm të Kosovës.
Në panelin diskutues “Një dekadë dialog: sfidat dhe impakti në politikën e jashtme të Kosovës”, u dhanë këndvështrime të akterëve të partive politike dhe shoqërisë civile lidhur me këtë çështje.
Shqipe Mjekiqi-Sadiku, nënkryetare e LDK-së, nënvizoi nevojën për më shumë transparencë nga ana e ekzekutivit mbi strategjinë e saj për dialogun, si dhe theksoi që, në vija të trasha, nuk ka shumë dallime në mes të partive politike mbi atë se çfarë rezultati duhet të sjellë dialogu me Serbinë. Në raport me marrëveshjen, ajo kërkoi nga BE-ja që të mos ndërlidhë çështjen e liberalizimit të vizave me arritjen e një marrëveshje eventuale me Serbinë.
Bernard Nikaj, sekretar për marrëdhënie ndërkombëtare në PDK, theksoi që dialogu me Serbinë është një prej proceseve më të rëndësishme ku Kosova është duke kaluar, andaj angazhimi i plotë i Qeverisë në dialog është më së i domosdoshëm. Sa i përket rolit të partive opozitare, Nikaj theksoi që duhet të jetë në përputhje me atë që ka definuar Gjykata Kushtetuese dhe zhvillimet e mëparshme. Po ashtu ai potencoi që Kosovës i duhet një shërbim i jashtëm diplomatik i cili mund të përkrahë procesin e dialogut.
Fitore Pacolli-Dalipi nga LVV, kritikoi qasjen e qeverive të mëparshme në politikën e jashtme dhe diplomaci, duke përfshirë edhe strategjive për dialogun. Në këtë drejtim, ajo vlerësoi që dialogu nuk duhet të shihet si çështje urgjente dhe që nuk duhet të imponohen afate kohore strikte për arritjen e një marrëveshje. Kjo, sipas saj, sidomos duke ditur se Serbia aktualisht është jodemokratike dhe publikisht shprehet kundër njohjes së Kosovës.
Në anën tjetër, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK, deklaroi që marrëveshja me Serbinë është kyçe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se kjo çështje është kryesorja në çdo komunikim ndërkombëtar të liderëve të Kosovës me liderët e shteteve tjera. Shasha tha se rrethanat aktuale të dialogut me Serbinë janë të ngjashme me ato para arritjes së “Marrëveshjes së Prespës”, andaj shprehu optimizëm për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Panelistët diskutuan edhe lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, tanimë kur moratoriumi një-vjeçar i paraparë me Marrëveshjen e Uashingtonit ka skaduar. Ata cekën nevojën për koordinim e bashkëpunim me shtetet përkrahëse të Kosovës, sidomos me SHBA-të, Britaninë e Madhe, vendet e BE-së dhe shtete tjera, para aplikimit për anëtarësim në cilëndo organizatë apo mekanizëm ndërkombëtar, duke qenë se dështimet eventuale kanë më shumë ndikim negativ sesa mos aplikimi. Po ashtu, u potencua që numri i shteteve njohëse jo domosdo përkthehet në përkrahje për Kosovën gjatë aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Shih videon e plotë të tryezës këtu, ndërsa hulumtimin e plotë e gjeni këtu.
***
Ky aktivitet do të realizohet në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirinformuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.