sq - en

Nga konferenca e KDI-së: Diskutohet për kapitullin e ri të Dialogut me Serbinë

Tryeza 23.06.2021

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot konferencën “Kapitulli i ri i dialogut Kosovë-Serbi?”, e ndarë në dy panele, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të grupeve parlamentare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të procesit.

Në hapje të kësaj konference, Jeta Krasniqi, Menaxhere e Projektit në KDI, tha se KDI që nga viti 2016 ka organizuar me dhjetëra diskutime publike në nivel qendror dhe lokal – me deputetë, shoqëri civile, njohës të procesit të dialogut dhe ekspertë për të kontribuar në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes rreth dialogut me Serbinë. Ajo shtoi se në këtë fazë, mbetet për t’u qartësuar nga Qeveria se si do të procedohet tutje me këtë proces.

Ndërsa, në fjalimin e tij hyrës, Ambasadori i Zvicrës në Kosovës deklaroi që procesi i normalizimit me Serbinë duhet të jetë çështje e interesit kombëtar të Kosovës, pavarësisht kush e përfaqëson Republikën e Kosovës në Bruksel. Ai shtoi se një konsensus i gjerë politik është faktor i rëndësishëm në përgatitjet për një zgjidhje të qëndrueshme.

Pas fjalimit hyrës, KDI prezantoi një punim diskutues lidhur me ndikimin e dialogut në planin e brendshëm. Violeta Haxholli, autore e këtij punimi, theksoi që dialogu mbetet sfidë edhe për qeverinë e re, njësoj sikur për qeveritë e kaluara. Ajo deklaroi që përkundër faktit se qeveria aktuale e ka zhvendosur këtë temë poshtë në listën e saj të prioriteteve, sërish dialogu gjen mënyrën për t’u ngjitur në krye të agjendës shtetërore të Kosovës. Në fund, Haxholli shtoi se për të përmbyllur suksesshëm këtë proces, përveç koordinimit mes Kryeministrit dhe Presidentes së vendit, nevojitet një konsensus i spektrit të gjerë politik.

panelin e parë të diskutimit përfaqësuesit politik ofruan qëndrimet e tyre lidhur me të ardhmen e këtij procesi, por edhe zhvillimet e deritanishme. Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, mes tjerash, deklaroi se “Është e vërtetë që ka pasur dialog 10 vite më herët por po ashtu është e vërtetë që dialogu ka qenë rëndë i lënduar. Mos të harrojmë, ne kemi pasur vitin 2017 dhe 2019 në të cilat temë kryesore e diskutimeve dhe çarjeve brenda në Kosovë ka qenë tema e shkëmbimit të territoreve, gjegjësisht krijimi i shteteve mono-etnike, që rrezikon çdo gjë që është investuar dhe krijuar për të ardhmen e këtij vendi”.

Ndërsa, partitë opozitare kritikuan qasjen dhe punën e ekzekutivit në raport me këtë proces. Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së, deklaroi se procesi i kaluar i dialogut ka sjellë përfitime të shumta, mes të cilave ai përmendi Marrëveshjen e Drejtësisë, si ndër marrëveshjet më të rëndësishme të dialogut. Tutje, Tahiri deklaroi që beson se qëllimi ynë kryesor duhet të jetë njohja midis Kosovës dhe Serbisë, por anëtarësimi në OKB, meqenëse sipas tij “[…] pa qenë pjesë e OKB-së, ne nuk e kemi përmbyllur çështjen e subjektivitetit ndërkombëtar”.

Kurse, Driton Selmanaj, deputet i LDK-së tha se ka mungesë të pozicionit të qartë të Kosovës në këtë proces, si dhe një mos përgatitje të Qeverisë për temën e dialogut, si dhe duket sikur ka improvizime në hapa dhe taktizime në hapa. Në fund, Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së, potencoi që propozimi i katër pikave nga Kryeministri Kurti në Bruksel së fundmi, tregon për qasjen ad-hoc të qeverisë lidhur me dialogun.

panelin e dytë të diskutimit, ku morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të procesit, u ofruan këndvështrime të ndryshme mbi ecurinë e deritanishme të dialogut, mënyrës se si duhet vepruar tutje, si dhe temave konkrete të dialogut. Demush Shasha, drejtor i Institutit Epik, kërkoi që çfarëdo zgjidhje që propozohet për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë një model evropian që është treguar i suksesshëm brenda vendeve të BE-së. Shqipe Pantina, analiste politike dhe ish-deputete, kërkoi që përveç konsensusit politik, të punohet në funksion të arritjes edhe të konsensusit shoqëror për dialogun, në mënyrë që zgjidhja finale të jetë e qëndrueshme. Në anën tjetër, Miodrag Mili?evi?, drejtor i NGO-Aktiv, deklaroi që komuniteti serb në Kosovë nuk ka qenë fare i përfshirë në procesin e dialogut. Sa i përket çështjes së Asociacionit, ai përmendi faktin që ekipi menaxhues, i përbërë nga serb lokal, ende nuk e ka përgatitur statutin e Asociacionit, duke pamundësuar diskutim përmbajtësor lidhur me temën në fjalë. Ndërsa, Ardian Arifaj, drejtor i portalit “Demokracia” deklaroi që edhe pse procesi është i ri në kuptim të pjesëmarrësve në të, temat e dialogut janë dhe do të vijojnë të mbesin të njëjta siç kanë qenë që nga procesi i negociatave të Vienës.

Përgjithësisht, të gjithë panelistët dhe pjesëmarrësit e kësaj konference u pajtuan se vazhdimi i dialogut është i pashmangshëm dhe se arritja e konsensusit politik e shoqëror mbetet i domosdoshëm.

Diskutimi u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirinformuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.

Diskutimin e panelit të parë mund t’a ndiqni këtu, ndërsa të panelit të dytë këtu.