sq

Nga diskutimi i KDI-së: OBLIGIMET FINANCIARE TË SERBISË NDAJ KOSOVËS JANË QINDRA-MILIARDËSHE

Tryeza 17.12.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka zhvilluar sot diskutimin online “Pretendimet financiare dhe pronësore në dialogun Kosovë-Serbi”, ku morën pjesë ekspertë eminentë të fushës si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë hapjes së diskutimit, Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, theksoi rëndësinë e diskutimit pikërisht për temat e pretendimeve financiare dhe atyre pronësore, në kohën kur mbi këtë temë është duke u dialoguar në Bruksel. Ajo shtroi për diskutim obligimet financiare, çështjen e borxhit të jashtëm, pensioneve, reparacioneve të luftës, pretendimet pronësore dhe të tjera.

Ahmet Shala, ish-ministër i Financave, fillimisht theksoi që Kosova si shtet ka treguar nivel të lartë të seriozitetit duke e marrë përsipër të gjithë pjesën e saj të borxhit të jashtëm të ish-Jugosllavisë, të cilat janë aprovuar nga organet legjitime të Kosovës dhe nga të cilat kanë përfituar qytetarët e saj. Në këtë drejtim, ai shtoi se të gjitha borxhet e marra nga Serbia në emër të Kosovës pas vitit 1989 nuk janë obligime të Kosovës, përfshirë edhe periudhën gjatë administrimit të UNMIK-ut, meqë rast Shala vlerësoi që pikërisht me Rregulloren nr. 1 të UNMIK-ut ishte përcaktuar që nuk mund të merren borxhe në emër të Kosovës nga ana e Serbisë.

Sa i përket obligimeve financiare të Serbisë ndaj Kosovës, sipas Ahmet Shalës, duhet fillimisht të organizohen tryeza profesionale dhe të përcaktohet metodologji e qartë e përllogaritjes së dëmeve të luftës. Sipas përllogaritjeve të tij, në një ndarje prej 25 kategorive ku janë shkaktuar dëme, obligimet e Serbisë janë rreth 250 miliardë dollar, pa llogaritur dëmet industriale dhe ato ushtarake. “Prej tyre, më pak se 10% e totalit të përgjithshëm të borxheve që Serbia duhet t’ia paguajë Kosovës, janë pensionet” shtoi Shala. Gjithashtu, u trajtua edhe çështja e pronave shoqërore dhe ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që kanë asete në Serbi, për të cilat u tha që Serbia nuk ka bashkëpunuar, e madje ka pasur përpjekje për të privatizuar asetet e Kosovës apo t’i pengojë investitorët          e jashtëm. Ai shtoi se Pako e Ahtisaarit e ka adresuar dhe çështjen e pronësisë së ndërmarrjeve publike dhe shoqërore që operojnë në territorin e Kosovës dhe menaxhmenti i tyre është po në Kosovë, duke e konsideruar atë pronë të Kosovës.

Lidhur me pensionet, Artan Mustafa, ligjërues i politikave sociale, vlerësoi që si temë është diskutabile rreth së cilës është krijuar një  “mit” me situatën pas marrjes së Fondit Pensional të Kosovës nga Serbia në vitin 1992. “Në atë kohë, Fondi veçse ka qenë në deficit, duke mos mundur të paguhen obligimet pensionale që kanë ekzistuar” shtoi ai. Mustafa gjithashtu vlerësoi që, bazuar në sistemin e atëhershëm ‘pay as you go’ ku punëtorët aktual kanë paguar për pensionistët aktual, i bie se gjenerata e sotme i ka borxh punëtorëve të asokohe. Ai shtoi që kjo çështje duhet të shqyrtohet me kujdes. U kërkua gjithashtu që në kuadër të dialogut domosdoshmërish të trajtohet çështja e pensioneve, me qëllim të unifikimit të tërë sistemit pensional të Kosovës duke e ditur që në Kosovë ka ende dy sisteme paralele që operojnë në këtë fushë. Në këtë drejtim u potencua mungesa e raporteve zyrtare të hartuara nga institucionet e Kosovës për çështjen e pensioneve.

Mungesa e hulumtimeve apo raporteve zyrtare nga institucionet e Kosovës, u theksua edhe sa i përket viktimave dhe dëmshpërblimeve të luftës. Bekim Blakaj, drejtor i Fondit Humanitar për të Drejtat e Njeriut, deklaroi që kjo organizatë është në proces të dokumentimit të të gjithë të vrarëve dhe të zhdukurve në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Deri më tani, ai tha që janë evidentuar 13,535 persona të vrarë apo të zhdukur gjatë kësaj periudhe në Kosovës, pjesa dërrmuese e të cilëve janë civilë. Për të njëjtit, por edhe personat tjerë të burgosur apo të cilët kanë qenë subjekt i trajtimit çnjerëzor, Kosova duhet të përfshijë në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë kompensimin e tyre, bazuar në provat e shumta dhe aktgjykimet e institucioneve ndërkombëtare përfshirë tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi që kanë dokumentuar përgjegjësinë e krerëve të shtetit serb. Blakaj shtoi se është veprimi i duhur që pala kosovare të adresojë çështjen e reparacioneve të viktimave të luftës në tryezën e dialogut duke njohur që dhe familjarët e viktimave jo shqiptare ta kenë të drejtën e tyre për dëmshpërblim. “Për të gjitha krimet e kryera në Kosovë, vetëm 65 persona janë dënuar para gjykatave, përfshirë ato në Serbi, Kosovë apo gjykatat ndërkombëtare. Andaj, nuk ka drejtësi për viktimat. Kërkim-falja është e rëndësishme, si pjesë e reparacioneve.” deklaroi ai.

Të gjithë pjesëmarrësit kërkuan që të ketë bashkëpunim me të madh mes institucioneve të Kosovës dhe ekspertëve vendor, por edhe atyre ndërkombëtarë, në mënyrë që të kontribuohet në përmirësimin e pozicioneve të Kosovës në raport me fazën finale të dialogut me Serbinë.

Diskutimi u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirëinformuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada Gjermane në Kosovë. Ky diskutim u zhvillua në respektim të plotë të masave të institucioneve relevante për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Diskutimin e plotë mund t’a ndiqni këtu.