Ne Diten e Demokracise, te rinjte diskutojne me deputetet dhe Ambasadorin britanik, z. Ruairi O’Connell

Takime 15.09.2017

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ne ambientete e Kuvendit te Kosoves, KDI në bashkëpunim Ambasadën Britanike në Prishtinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, zhvilluan sot debat me të rinjtë i cili u transmetuar drejtpërdrejtë edhe në rrjetet sociale nga ku u morën disa pyetje prej qytetarëve. Panelistë në këtë debat ishin deputetët Blerta Deliu-Kodra dhe Dardan Sejdiu, si dhe ambasadori britanik Ruairi O’Connell.

Gjatë këtij sesioni temë diskutimi ishte “Demokracia dhe parandalimi i konflikteve”, për çka ambasadori O’Connell theksoi para të rinjve tri çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimin e demokracisë “E para, qytetarët kanë pushtet, jo deputetët dhe qeveritarët, pra nëse kërkoni diçka mund ta bëni vet, nuk duhet të prisni nga qeveritarët. E dyta, qytetarët kanë përgjegjësi për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. E treta, demokracia nuk është e lehtë por është çështje e zgjedhjes mes opsioneve. A kërkoj unë një qeveri që ka në fokus papunësinë apo demarkacionin apo një qeveri me politika socialiste ose konservatore? Prandaj është e rëndësishme që qytetarë, e në veçanti të rinjtë të ndihen të fuqiplotë dhe përgjegjës për demokracinë e vendit ”, ka thënë ambasadori O’Connell.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra nga radhët e PDK-së, ka potencuar se kjo datë është shumë e rëndësishme për Kuvendin dhe po aq e rëndësishme që kjo ditë po shënohet me konsolidimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, por që theksoj se Kosova ka ende sfida drejt forcimit të demokracisë.
“Vlerat e demokracisë janë vlera thelbësore, të fuqishme të një shteti, vlera këto për të cilat ne si përfaqësues të popullit do të angazhohemi. Demokracia i ka sfidat e saj, veçanërisht në shtete të dala nga lufta sikurse është Kosova, prandaj ne si shtet po përballemi me këto sfida të forcimit të demokracisë. Por besoj që do të punojmë fuqishëm që demokracia në Kosovë të jetë më e fortë dhe çdo qytetarë të gëzoj të drejtat e tij”, ka shtuar ajo.

Kurse deputeti Dardan Sejdiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, ka thënë se qytetarët e Kosovës nëse duan të udhëheqin me vendin ashtu siç nënkupton demokracia duhet të jenë politik, të jenë qytetarë aktiv duke mos lejuar që të pyeten vetëm një herë në katër vite.

“Demokracia nënkupton udhëheqje nga populli, prandaj duhet qytetarët e në veçanti të rinjtë të jenë pjesë e këtij procesi, duke i udhëhequr përfaqësuesit e tyre. E nëse qytetarët duan të përfaqësohen dhe jo të vendosin vetëm njëherë në katër vite, ata duhet të jenë politik, të jenë qytetare aktiv duke qenë pjesë e vendimmarrjes dhe jo të jenë spektatorë. Kjo nuk duhet të bëhet vetëm me anë të zgjedhjeve. Ne duhet të lëvizim nga demokracia përfaqësuese në atë të drejtpërdrejtë ku qytetari pyetet çdo ditë dhe jo vetëm njëherë në katër vite. Mendoj që Republika e Kosovës ka nevojë për angazhim sa më të madh të rinisë, duke marrë parasysh që 70% e popullatës është nën moshën 35 vjeçare, prandaj është e rëndësishme që të jeni aktiv në çfarëdo forme duke i shty përpara mendime dhe bindjet që për ju si të rinj janë të rëndësishme”, ka thënë Sejdiu.

 

Pas përfundimit të debatit, të rinjtë në shoqërimin edhe të deputetëve vizituan sallën ku mbahen seancat plenare të Kuvendit, nga ku patën mundësi që të mësojnë më shumë nga vetë deputetët për rolin dhe përgjegjësit e Kuvendit.