sq - en
Regjistrohu

Në 11 vjetorin e fillimit të dialogut Kosovë-Serbi, nevojitet përkushtim në arritjen e një marrëveshje finale

Reagime 10.03.2022

Në 11 vjetorin e fillimit të dialogut Kosovë-Serbi, nevojitet përkushtim në arritjen e një marrëveshje finale

Platforma e Shoqërisë Civile për Dialogun po vazhdon të përcjellë nga afër procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke rikujtuar që kanë kaluar 11 vjet që nga fillimi i këtij procesi me 8 dhe 9 mars të vitit 2011.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 9 shtator 2010, miratoi rezolutën e cila i hapi rrugë fillimit të dialogut Kosovë – Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, me mandat të promovimit të bashkëpunimit, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe progresin e të dyja vendeve në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Që nga fillimi i dialogut para 11 viteve deri më tani janë arritur mbi 35 marrëveshje për tema të ndryshme. Pas kaq viteve nuk është arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe  ligjërisht e obligueshme, ashtu siç kërkohet dhe është kushtëzuar përfundimi i këtij dialogu nga Bashkimi Evropian. Nuk ka dyshim se arritja e kësaj marrëveshje pikë së pari varet nga vullneti politik dhe përkushtimi i të dyja vendeve, si dhe nga angazhimi dhe koordinimi në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke theksuar faktin që dialogu mbetet alternativa e vetme për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe integrimin e tyre evropian, është e domosdoshme që ato sa më shpejtë t’i kthehen tavolinës së bisedimeve me vullnet të plotë politik për të arritur marrëveshjen në fjalë, ndikimi i së cilës nuk do të kufizohej vetëm në normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, por do të kishte efekt stabilizues dhe rritje të sigurisë në Ballkan, sidomos në rrethanat aktuale pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Në fund, duhet nënvizuar se elemente të rëndësishme që kanë ndikim madhor në suksesin e këtij procesi negociator mbesin konsensusi i brendshëm politik e shoqëror si dhe transparenca dhe llogaridhënia politike, të cilat nuk janë adresuar si duhet nga qeveritë e Kosovës që nga fillimi i dialogut 11 vite më parë.

 

Platforma e Shoqërisë Civile për Dialogun:

– Demokracia për Zhvillim (D4D)

– Fondi për të Drejtën Humanitare (HLC)

– Grupi për Ballkan (BPRG)

– Iniciativa e Re Sociale (NSI)

– Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

– Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

– Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillimeve të Politikave (KIPRED)

– Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR)

– Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

– OJQ ‘Aktiv’