Ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë dhe projektligji për provimin e maturës shtetërore ishin tema që u shpalosën ndarazi në dy dëgjime publike që KDI, më 20 Maj organizoi në bashkëpunim me Komisionin parlamentar për Legjislacion dhe atë për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.
Kërkesa e Komisionit Evropian për të plotësuar pakon ligjore të nevojshme për liberalizim të vizave, mblodhi në dëgjim publik prokurorë, gjykatës, anëtarë të Këshillit Prokurorial, anëtarë të Këshillit Gjyqësor, Institutin Gjyqësor dhe organizata të shoqërisë civile. Në kuadër të projektit për përkrahje të Kuvendit me hulumtime parlamentare, KDI angazhoi Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) që të ofrojë hulumtim ligjor për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit. Të gjeturat fillestare të këtij hulumtimi, së bashku me praktikat ndërkombëtare, dhe opsionet për normim të këtij sektori u prezantuan në këtë dëgjim nga Betim Musliu, Drejtor Ekzekutiv i IKD-së. Disa nga çështjet që ngritën prokurorët dhe gjykatësit e pranishëm kishin të bëjnë me emërimin Kryetarit të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, zgjedhjen e anëtarëve jo-prokurorë në KPK, sqarimin e procedurave të shkarkimit, mënyrwn e raportimit të KPK-së dhe KGjK-së në Kuvend, rolin e Kryeprokurorit në KPK, kriteret për emërimin e prokurorëve të rinj, rregullimi i angazhimeve jashtë-detyrës zyrtare të prokurorëve, trajnimet fillestare dhe matja e performancës.
Në dëgjimin publik të rradhës, përfaqësues të MASHT dhe drejtorive komunale për arsim, përfaqësues të shkollave private, ekspertë të lëmit të arsimit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile diskutuan lidhur me heqjen e pragut të kalueshmërisë së testit të Maturës Shtetërore. Përkundër qëndrimit të MASHT-it për heqjen e pragut të kalueshmërisë , ekspertë të arsimit dhe të interesuar të tjerë të këtij lëmi me interes të lartë për vendin, sugjerojnë mbajtjen e këtij pragu.