Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar sot një vizitë të anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kompaninë publike KOSTT (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës).
Në këtë vizitë morën pjesë kryetarja e këtij komisioni Sala Berisha – Shala dhe anëtarja e komisionit Mimoza Kusari – Lila, të cilat takuan kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it Ilir Shala dhe përfaqësues të bordit.
Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi i anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik lidhur me zbatimin e marrëveshjes për energji të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit dhe çështjen e faturimit të energjisë së pjesës veriore të Kosovës.
Deputetët kërkuan nga përfaqësuesit e KOSTT-it, informacione lidhur me progresin në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe humbjet e shtetit të Kosovës nga moszbatimi i kësaj marrëveshjeje.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e KOSTT-it, informuan deputetet se deri më tani Kosova dhe Serbia nuk janë pajtuar për zbatimin e marrëveshjes për energji. Arsyeja e moszbatimit të marrëveshjes kanë theksuar se është refuzimi i Serbisë që të regjistrojë kompaninë e re në Kosovë “Elektro Server”, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Ata kanë njoftuar se janë raportuar vonesat tek përfaqësuesit e BE-së, të cilëve u kanë kërkuar që të ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjes.
Sipas përfaqësuesve të KOSTT-it, moszbatimi i kësaj marrëveshje po i shkakton humbje të mëdha financiare Kosovës dhe KOSTT-it në veçanti. Vetëm gjatë vitit 2017, KOSTT ka pasur humbje disa milionëshe kurse nga viti 2008 deri në vitin 2017, Serbia llogaritet që ka përfituar deri në 52 milionë euro nga shfrytëzimi i linjave të interkoneksionit të Kosovës.
Përfaqësuesit e KOSTT-it kërkuan nga deputetet që të ngrisin këtë çështje në Kuvend dhe të kërkojnë nga Qeveria që të gjejnë sa më shpejtë një zgjidhje të qëndrueshme. Deputetet u zotuan se do të adresojnë sa më shpejtë këtë çështje në seancat e Kuvendit të Kosovës dhe do t’i kërkojnë qeverisë që këtë çështje ta trajtojë me prioritet dhe seriozitet.
Kjo vizitë u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.