(MOS) Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në nivelin ekzekutiv

08.12.2023

Përmbledhje nga tryeza e KDI-së 

(MOS) Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në nivelin ekzekutiv

 

Në tryezën e sotme, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoi raportin “(Mos)Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në nivelin ekzekutiv”. Ky është raporti i dytë në serinë e raporteve që skanojnë implementimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve në institucionet publike në vend.  Kjo tryezë u mbajt në kuadër të kampanjës “ZERO Korrupsion” me përfaqësues nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, përfaqësues nga institucionet e nivelit qendror, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.

Në fjalimet hyrëse të konferencës, Ismet Kryeziu – drejtor ekzekutiv i KDI-së – theksoi që sinjalizimi përbën armën kryesore për luftimin e korrupsionit në kuadër të institucioneve publike në vend ndërsa potencoi se institucionet nuk duhet të mjaftohen vetëm me caktimin e zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim por duhet edhe të zhvillojë fushata të strukturuar në drejtim të mirë informimit të stafit në lidhje me raportimin në interes publik.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z.Buleshkaj ka deklaruar se këtë vit është kompletuar infrastruktura për trajtimin e rasteve të sinjalizimit me aprovimin e dy udhëzuesve, një mbi hetimin administrativ dhe tjetri mbi të drejtat e sinjalizuesve. Z.Buleshkaj vlerësoi se këta udhëzues përkundër se janë miratuar me mbi dy vite vonesë, të njëjtit do të krijojnë lehtësira në zbatimin e kornizës bazë për mbrojtën e sinjalizuesve. Drejtori i Agjencisë gjithashtu potencoi se agjencia planifikon që nga viti i ardhshëm të shtoj kapacitetet e agjencisë në drejtim të rritjes së numrit të stafit që do të jetë i angazhuar në monitorimin e kërkesave ligjore që dalin nga ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve. Ndërsa u vlerësuar se gjendja me implementimin e këtij ligji qëndron shumë mirë në sektorin publik krahasuar me sektorin privat, ku ka ngecje serioze.

Ndërsa, zëvendës-ministri i Drejtësisë, z. Qorrolli ka vlerësuar se ligjit aktual për mbrojtjen e sinjalizuesve është në përputhje me Direktivën Evropiane mbi mbrojtjen e sinjalizuesve megjithatë kz ligj ka ngecje serioze në zbatim. Z.Qorrolli potencon se Ministria e Drejtësisë, ditëve dhe javëve në vijim do të bëjnë një vlerësim Ex Ante të ligjit për të parë nëse i njëjti i përshtatet mentalitetit socio-kulturor në vend dhe për të shqyrtuar nëse i njëjti ka nevojë ti nënshtrohet një procesi të plotësim-ndryshimit të tij apo edhe të legjislacionit sekondar.

Znj.Humolli prezantoi gjetjet e hulumtimit mbi zbatimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve në nivelin ekzekutiv ndërsa vlerësoi se krahasuar me sektorin e drejtësie, zbatimi i ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve në institucionet në nivelin ekzekutiv është në nivele më të kënaqëshme meqë të gjithë zyrtarët për sinjalizim veçse janë caktuar. Megjithatë hulumtimi i KDI-së ka gjetur se ka mangësi edhe në këtë sektor në lidhje me zbatimin e këtij ligji sa i përket publikimit të të dhënave të zyrtarëve për sinjalizim, mungesës së kushteve teknike për raportim, mungesës së promovimit të sinjalizimit brenda institucioneve, mungesës së trajtimeve të përditësuar dhe praktike si dhe mungesës së vetë rasteve të sinjalizimit si pasojë e mos-informimit të stafit. 

KDI kërkon nga institucionet në nivelin ekzekutiv por edhe institucionet tjera publike të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar zbatim të plotë të ligjit për mbrojtje të sinjalizuesve. KDI poashtu inkurajon punonjësit në sektorin publik të kontribuojnë në kulturën kundër-korrupsion duke e përdorë sinjalizimin si mjet por edhe si vlerë në mbrojtjen e interesit të përgjithshëm publik.

Raportin e plotë e gjeni në linkun: